Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësim se marrëveshja e arritur nga Qeveria e Kosovës në Bruksel, siç u raportua në media, përbën një regres për Kosovën dhe e forcon më shumë pozicionin e Serbisë.
Partia Demokratike e Kosovës ka mbështetur vendimin e Qeverisë për vendosjen e reciprocitetit në targa, por tërheqja e saj nga ky vendim kaq shpejtë dhe në këtë mënyrë është dekurajuese dhe tejet shqetësuese për zhvillimet e ardhshme, shkruan arbresh.info.
“Largimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës dhe rikthimi i KFOR-it – duke marrë përsipër detyra të rendit publik dhe kontrollit të kufirit që i takojnë policisë, përbën një kthim prapa për institucionet tona të pavarura shtetërore dhe dëmton rolin kushtetues të Policisë së Kosovës. Ky zhvillim përbën një njollë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës si një shtet i konsoliduar i pavarur dhe sovran”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Për më tepër, sipas PDK-së, duke pranuar një tërheqje të sinkronizuar të Policisë së Kosovës dhe barrikaduesve që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, Qeveria aktuale de facto i ka konsideruar ata si të barabartë, duke nëpërkëmbur kështu dinjitetin e autoriteteve tona shtetërore të sigurisë.
Duke i trajtuar njësoj me barrikaduesit, kjo Qeveri ka fyer forcat speciale të Policisë së Kosovës, të cilat kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë patriotike. Jo vetëm kaq, por nga sot barrikadat janë përligjur si mjet efikas për përparimin e interesave të Serbisë në Kosovë.
Gjithashtu, duhet sqaruar se, ndryshe nga deklaratat dezinformuese qeveritare për vendosje të reciprocitetit, pranimi i mbulimit të pjesëve specifike të targave është konfirmim i marrëveshjes tashmë të arritur në Bruksel në vitin 2016. Bëhet fjalë për “Marrëveshjen teknike për lirinë e lëvizjes” të vitit 2011, të finalizuar në Bruksel më 14 shtator 2016, e cila u kundërshtua asokohe ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të japë shpjegime pse e shkaktoi gjithë atë tension të përshkallëzuar në veri, duke cenuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe duke e portretizuar Kosovën në opinionin ndërkombëtar si një vatër trazirash – vetëm për t’u rikthyer në një çështje të dakorduar që para 5 vjetësh.
Ajo që e bën edhe më problematike këtë marrëveshje është çështja e pranimit të targave ilegale KM dhe të ngjashme nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ky fakt përbën një dorëzim të sovranitetit dhe shpërblim të përpjekjeve të Serbisë për të mohuar shtetësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës nëpërmjet lëshimit të targave ilegale serbe për territorin e shtetit tonë.
Ne përshëndesim përpjekjet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët, pavarësisht se fillimisht u shpërfillën nga Qeveria e Kosovës, prapëseprapë na u gjendën pranë duke ndihmuar në de-eskalimin e situatës së tensionuar në veri. Njëkohësisht, kërkojmë që sa më parë të bëhen publike detajet e kësaj marrëveshjeje dhe të sqarohen të gjitha rrethanat për të cilat është ndërmarrë në veri një operacion i rrezikshëm e që ka rezultuar në një regres të shumanshëm të pozicionit të Republikës së Kosovës./arbresh.info/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...