Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu besimin se Mali i Zi do të mbetet në rrugën drejt integrimeve evropiane. Ajo tha se Mali i Zi ka bërë përparimin më të madh në procesin e pranimit dhe Komisioni Evropian dëshiron që ky proces të vazhdojë.
“Mali i Zi ka nevojë për dialog politik në mënyrë që të bëjë përparim. Ju keni bërë shumë. Është e rëndësishme që Mali i Zi të ruhet si një vend shumëfetar dhe shumetnik. Demokracia nuk përbëhet nga një parti apo një rrymë. Demokracia janë njerëzit. Nevojitet mbrojtja e pakicave. Mali i Zi ishte i pari në Ballkanin Perëndimor që legalizoi partneritetet e të njëjtit gjini. Ju jeni një shembull për rajonin dhe më gjerë, “ tha Leyen.
Presidentja e KE-së i bëri këto komente, të mërkurën, gjatë qëndrimit të saj në Podgoricë, në një konferencë të përbashkët me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Ursula von der Layen tha se BE -ja ka bërë përpjekje të mëdha për të mënjanuar efektet negative të koronavirusit. “Ne duhet të shikojmë drejt së ardhmes dhe të bëjmë investime strategjike në sektorët më kryesorë. Qytetarët e Malit të Zi meritojnë një të ardhme me punë më cilësore dhe të paguara mirë. Ne presim që Mali i Zi të propozojë projekte cilësore. Kjo do të mundësojë 20 milionë euro të reja për projektet e ardhshme”, tha Leyen.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq tha se qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor është duke u cenuar nga provokimet e ndryshme. “Ne jetojmë në një kohë kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik, falë ofensivës së interesave gjeopolitike të ndryeshme që janë kundër sistemit të vlerave evropiane. Interesi i këtyre ndikimeve është pengimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Unë tregova vendosmërinë tonë për të arritur vlerat evropiane ”, tha presidenti Gjukanoviq.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Layen dhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq vizituan Institutin e Shëndetit Publik, ku Leyen dorëzoi një donacion të vlefshëm, pajisjen testimi PCR masiv të automatizuar. Kjo është pajisja e parë e këtij lloji në Mal të Zi, që integron plotësisht procesin e testimit e deri tek dalja e rezultatit për COVID-19. Vlera e përgjithshme e donacionit me teste dhe materiale tjera është 660 mijë euro, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Për Ursula von der Leyen kjo është vizita e parë zyrtare në Mal të Zi, e cila u prit nga kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq. Presidentja e Komisionit Evropian arriti në Podgoricë pas vizitës në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë si pjesë e turneut në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor./VOA/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...