Google ADS

Dërgohet për miratim në Qeveri Koncept-dokumenti për Zhvillimin e Procesit të Vettingut në Sistemin e Drejtësisë

16:19 | 28 Shtator 2021
Arbresh.info

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me zëvendësministren, Nita Shala, sot kanë mbajtur një konferencë për media përmes së cilës kanë njoftuar opinionin publik me zhvillimin e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë.

Sipas ministres Haxhiu, marrë parasysh faktin se sistemi i drejtësisë në Kosovë ballafaqohet me sfida dhe probleme të shumta, shkaktare e të cilave vlerësohet të jetë integriteti i mangët i disa pjesëtarëve të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, profesionalizmi nën nivelin e dëshiruar dhe ndikimet nga jashtë, është parë si i domosdoshëm që të zhvillohet procesi i vettingut në institucionet e sistemit të drejtësisë, transmeton arbresh.info

“Verifikimi i integritetit personal të subjekteve të vettingut, vlerësimit profesional dhe të performancës si dhe kontrollit të pasurisë së tyre, janë shtyllat kryesore mbi të cilat është zhvilluar dhe kompletuar ky dokument dhe mbi të cilat do të zhvillohet vettingu. Është punuar me kujdesin më të madh që mbi bazën e këtyre shtyllave, të garantohet një proces i drejtë dhe profesional, i pavarur dhe efektiv” tha ministrja Haxhiu.

Ministrja Haxhiu ka bërë të ditur se në Koncept-dokument, janë përfshirë praktikat e ndryshme ndërkombëtare të cilat kanë kaluar nëpër procesin e vettingut si dhe është bërë një analizë e thellë për nevojat dhe mënyrat se si të zhvillohet ky proces.

Institucionet e drejtësisë do të jenë institucione që i shërbejnë drejtësisë, jo individëve e grupeve, theksoi ministrja Haxhiu. Ajo tha se mbetën të vendosur që këtë reformë të rëndësishme të sundimit të ligjit, ta avancojnë tutje, në mënyrë që në institucionet e drejtësisë të kenë integritet dhe profesionalizëm duke kthyer kështu besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Nga ana tjetër, Zëvendësministrja Shala ka prezantuar rekomandimet e paraqitura nga grupi punues i cili ka identifikuar dhe analizuar në detaj pesë opsione që potencialisht mund të ndiqen.

Sipas rekomandimeve, opsioni i parë ka të bëjë me ruajtjen e status quo-së, opsioni i dytë adreson përmirësimin e zbatimit të kornizës ekzistuese ligjore, opsioni i tretë parasheh zhvillimin e vettingut përmes ndryshimeve ligjore, opsioni i katërt parasheh zhvillimin e vettingut përmes ndryshimeve kushtetuese duke krijuar mekanizma të jashtëm të përhershëm vettingu dhe opsioni pesë, është opsion i kombinuar mes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore dhe parasheh zhvillimin e procesit të vettingut duke krijuar mekanizma të jashtëm vettingu dhe duke ndërtuar mekanizma të rinj në kuadër të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Kosovës për të vijuar me vlerësimin e përhershëm të gjyqtarëve e prokurorëve.

Zëvendësministrja Shala bëri të ditur se Grupi Punues ka rekomanduar ndjekjen e opsionit pesë i cili propozon themelimin e mekanizmit të vettingut, si trupë e jashtme dhe e pavarur, e cila vlerëson dhe vendosë nëse subjektet e vlerësuara e kalojnë apo jo procesin e vettingut.

“Mekanizmi i vettingut parashihet të ketë dy shkallshmëri në vendimmarrje dhe mbështetje administrative e logjistike nga Sekretaria. Anëtarët e mekanizmit që do të vlerësojnë në shkallë të parë dhe në shkallë apeli do të jenë profesionistë të fushës së drejtësisë, me integritet të lartë – me mandat që do të zgjasë deri në fund të procesit. Vettingu do të zhvillohet nga tre trupa vendimmarrëse për gjyqtarët dhe dy trupa vendimmarrëse për prokurorët. Subjekte të vettingut do të jenë të gjithë gjyqtarët, prokurorët, zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit prokurorial dhe gjyqësor” theksoi zëvendësministrja Shala.

Zëvendësministrja tha se ky Koncept dokument vendosë bazat kryesore se si duhet të zhvillohet procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë, me ç’rast gjatë punimit të amendamenteve kushtetuese dhe ndryshimeve të nevojshme ligjore do të adresohen të gjitha çështjet të cilat do t’i kontribuojnë një verifikimi profesional, të paanshëm dhe me integritet.

Haxhiu dhe Shala, gjatë kësaj konference kanë vlerësuar lartë angazhimin dhe profesionalizmin e anëtarëve të Grupit Punues të cilët kanë finalizuar një nga koncept-dokumentet më të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë i cili tashmë është proceduar për Qeveri dhe pritet të votohet në mbledhjen e saj të radhës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme