Deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të tërhiqen forcat e Policisë së Kosovës, çdo njësi ushtarake si dhe barrikadat e vendosura me mjete të rënda në pikëkalimet kufitare mes dy vendeve, në Jarinjë dhe Bërnjak.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për tensionet e fundit në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak. Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë urgjentisht një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme në mënyrë që të garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë qytetarëve”, thuhet në deklaratën e Komisionit të Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme.
Po ashtu është kërkuar që të ndalen retorika nxitëse dhe provokimet.
“Ne dëshirojmë të shohim tërheqjen e policisë speciale dhe çdo njësie të ushtrisë dhe zhbllokimin e rrugëve. Veprimet dhe provokimet e njëanshme dhe retorika nxitëse, të cilat rrisin tensionet dhe ndikojnë në mirëqenien e komuniteteve lokale, duhet të ndalen. Ne i bëjmë thirrje BE-së dhe partnerëve të saj që të vazhdojnë të punojnë për zvogëlimin e krizës dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës të përdorin platformën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura, përfshirë ato që lidhen me lirinë e lëvizjes”, thuhet në deklaratën e përbashkët të eurodeputetëve, raporton arbresh.info.
Më tej theksohet se “normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është parakusht për pranimin në BE të të dyja vendeve, dhe është gjithashtu thelbësor për të siguruar stabilitet dhe prosperitet në rajon dhe më gjerë”.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, lidhur me situatën në pikëkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, po ashtu deklaroi se të dyja palët duhet ta gjejnë një zgjidhje paqësore për situatën.
“Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë urgjentisht një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme, në mënyrë që të garantohet siguria dhe mbrojtja e të gjithë qytetarëve”, shkroi Viola von Cramon në në Twitter.
Në një deklaratë të Komitetit thuhet se “eurodeputetët shprehin shqetësim të thellë për sigurinë e të gjithë qytetarëve, për shkak të tensioneve në vendkalimet Jarinje dhe Brnjak.”/arbresh.info/
Shtyrje dhe rrahje mes deputetëve në Parlamentin serb
Peci dorëzohet para presionit publik: Anulon grantet për kës...
Llapi befason Dritën në Gjilan, merr avantazhin në pjesën e ...
Fillojnë punimet për modernizimin dhe përmirësimin e sistemi...
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu miraton “në ...
Mehmetaj gjen “një dallaver tjetër mbi 100 mijë euro” në min...