Google ADS

Sistemi bankar në Afganistan pranë kolapsit

08:56 | 28 Shtator 2021
Trina Galanxhi

Sistemi bankar i Afganistanit është afër kolapsit, tha shefi i njërit prej huadhënësve më të mëdhenj të kombit.

Syed Moosa Kaleem Al-Falahi, Shefi Ekzekutiv i Bankës Islamike të Afganistanit, tha se industria financiare e vendit është në mbërthimin e një “krize ekzistenciale” ndërsa klientët janë në panik, transmeton portal arbresh.info

“Tërheqje të mëdha janë duke ndodhur për momentin”, tha ai për BBC nga Dubai, pasi u zhvendos atje për shkak të kaosit në Kabul.

“Shumica e bankave nuk janë duke funksionuar dhe nuk janë duke ofruar shërbime të plota”, shtoi ai.

Ekonomia e Afganistanit ishte tashmë në terren të lëkundur edhe para se talebanët të merrnin kontrollin në gusht.

Ajo është jashtëzakonisht e varur nga ndihmat e jashtme, rreth 40% e prodhimit të saj bruto vendor (PBB) vjen nga ndihma ndërkombëtare, sipas Bankës Botërore.

Por që nga marrja nën kontroll e talebanëve, Perëndimi ka ngrirë fondet ndërkombëtare, përfshirë asetet që Afganistani mund të ketë pasur me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Megjithatë, Kina tashmë është shprehur e gatshmë të ndihmojë në rindërtimin e Afganistanit dhe bashkëpunimit me talebanët.

Kina tashmë është zotuar për 200 milionë juanë kinezë (31 milionë dollarë, 22 milionë paund) ndihmë, përfshirë furnizimet ushqimore dhe vaksinat e koronavirusit.

Megjithatë, talebanët janë nën presion për të rregulluar problemet ekonomike të Afganistanit tani.

Inflacioni është duke u rritur, monedha e vendit është duke u zhvlerësuar dhe njerëzit janë në një dëshpërim të thellë për shkak se janë duke humbur para dhe punët e tyre.

Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se vetëm 5% e familjeve në Afganistan kanë ushqim të mjaftueshëm për çdo ditë.

Pra, qasja në fonde ndërkombëtare dhe ndihma e huaj është çelësi për mbijetesën e Afganistanit.

Megjithatë, vende si SHBA ka theksuar, se për një bashkëpunim me talebanët, janë vendosur disa parakushte, si trajtimi ndaj grave dhe pakicave./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme