Google ADS

Dragidella: Me VV-në do të zgjidhet problemi me ujin në Klinë

00:41 | 27 Shtator 2021
Trina Galanxhi

Kandidati për kryetar të Klinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Lulzim Dragidella, ka shpalosur planprogramin e tij për klinasit.

Ai në Edicionin Zgjedhor ka thënë se problemi kryesor për këtë qytet është uji i pijshëm, duke shtuar se kjo do të zgjidhet në mandatin e tij.

“Unë dhe LVV në Klinë kemi përpiluar një program ambicion për qytetin, ky është përgatitur duke u bazuar në nevojat e qytetarëve. Ne kemi biseduar me ata gjatë kësaj kohe, dhe i kemi vendosur cilat janë nevojat e tyre. Kemi konstatuar se njëri nga nevojat kryesore të tyre është uji. VV e ka planin konkret për ta zgjidhur këtë problem sepse paraprakisht jam konsultuar me ekspertë të kësaj fushe se si mund të zgjidhet problemi i ujit të pijshëm. Ky problem do të zgjidhet me LVV-në”

Dragidella ka deklaruar se ata do të zgjidhin edhe problemet të cilat lidhen me ambientin dhe pastrimin e tij, në këtë aspekt ka folur edhe për pastrimin e lumenjve që janë në këtë pjesë të Kosovës.

“Probleme edhe sa i përket lumenjve, sidomos në zonën e Vulljakut çdo vit ka vërshime dhe iu shkaktojnë probleme bizneseve që janë aty. Duhet të pastrojmë të gjithë lumenjtë dhe të ndalojmë derdhjen e ujërave të zeza në to”.

Kandidati i VV-së theksoi se ata do të punojnë edhe për zhvillimin ekonomik duke shtuar se do t’i lehtësojnë procedurat për bizneset, njofton Klan Kosova.

“Në Komunën e Klinës do t’i lehtësojmë procedurat e regjistrimit të bizneseve, duke ofruar gjithë infrastrukturën e komunës për të investuar në investime të zhvillimit ekonomik apo në hapjen e linjave prodhuese”.

Pos këtyre, Dragidella ka premtuar investime edhe në fushat tjera si arsimi, duke akuzuar pushtetin e tanishëm që e drejton Komunën se nuk kanë punuar sa duhet dhe se ka pasur punësime jo të drejta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme