Rahimaj: Do të ndërtojmë tregun e ri dhe ato mobile për kamenicasit

01:04 | 26 Shtator 2021
Trina Galanxhi

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kamenicën, Kadri Rahimaj, ka thënë se ata i kanë 50 zotime në planprogramin e tyre për zgjedhjet e 17 tetorit.

Ai në Edicionin Zgjedhor ka deklaruar se cilat janë planet e tyre për arsimin dhe bujqësinë.

“E kemi të formuar një grup punues me ekspertët më të mirë të fushave. Për këtë qeverisje mendojmë të paraqesim një planprogram konkret me 50 zotime të mbështetura në shtatë shtylla, prioritetet tona janë arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik dhe bujqësia. Në arsim pretendojmë të bëjmë ndërtimin e dy çerdheve të reja, do të bëjmë digjitalizimin e sistemit të përbashkët prind, nxënës dhe mësues, investime në kabinete në të gjitha fushat, ndërtimin e Qendrës së Kompetencës, futjen e Kodimit si lëndë e re, bursa të reja për studentë dhe nxënës, praktika me pagesë në institucionet publike dhe private”.

“Bujqësia konsiderojmë se është potenciali kryesor për zhvillimin e Kamenicës, do të ndërtojmë tregun e ri, ndërtimin e tregjeve të reja mobile, pesë cent për litër për qumësht për prodhuesit e qumështit, subvencione me mekanizma bujqësor, asistencë profesionale për bujqit, përkrahje për bletarët e vegjël, subvencionim me plehra dhe ara”.

Rahimaj ka theksuar se ata do të krijojnë një “Park Teknologjik” për zhvillimin ekonomik në këtë vend.

“Zhvillimi ekonomik është prioriteti i ynë këtë ne e shohim përmes investimeve konkrete si në sektorin privat, për të cilën e kemi synim krijimin e qendrës për sektorin privat. Do të krijojmë një

“Park teknologjik”, kjo do të jetë i mundur dhe do të jetë në fokus të të rinjve”.

Kandidati i VV-së theksoi se ata do të kenë transparencë sa i përket punësimeve në këtë Komunë.

“Konkurset do të jenë transparente dhe mbi bazën e meritokracisë, do të punësohet më i miri dhe më i kualifikuari, këtë e sigurojmë përmes përfshirjes së shoqërisë civile në çdo konkurs. Sepse ekziston një përshtypje se nuk mund të punësohesh pa qenë pjesë e subjektit të kryetarit aktual të partisë”, ka thënë Rahimaj.

Të ngjashme