Osmani pas sulmeve në veri: Ndërkombëtarët të mos injorojnë synimet ruso-serbe për destabilizim

16:17 | 25 Shtator 2021
A. B.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për zhvillimet e fundit si djegia e qendrës së regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok dhe sulmin me bombë në të njëjtin institucion në Zveçan.

Presidentja përmes një postimi në ‘facebook’ thotë se akte të tilla janë tregues se regjimi hegjemonist i Vuçiqit është burimi kryesor i destabilizimit të rajonit, shkruan portali arbresh.info

Postimi i saj i plotë:

Sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e themi që moti: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuqiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon.

Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-në, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet
baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi.

Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti serbët e Kosovës që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë pranë tyre duke ofruar mbështetje dhe siguri nga strukturat kriminale dhe ilegale të Serbisë. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme