Kryetari aktual i Suharekës, dhe kandidati i AAK-së, për kryetar në këtë komunë në zgjedhjet e 17 tetorit, Bali Muharremaj ka shpalosur planin e tij qeverisës për mandatin e radhës.
Ai në “Edicionin Zgjedhor” në Klan Kosova fillimisht tregoi planet e tij në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.
“QKMF të pajisen me aparatet më moderne dhe të kemi një ambient më të pastër dhe të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë. Për neve shumë më rëndësi është të kemi arsim cilësor edhe pse kemi ndërtu shumë shkolla, qëllimi jone është të përfundojmë edhe dy shkolla që kanë mbetë në komunën e Suharekës, të krijojmë kushte më të mira dhe të ketë cilësi në arsim”, u shpreh Muharremaj.
Muharremaj u bëri thirrje edhe diasporës që të investojnë në Suharekë, njofton Klankosova.tv.
“Kemi zonën industriale që do të jetë në Duhël do të jetë 94 hektar, do t’iu shërbej qytetarëve dhe të gjitha bizneseve për të marrë toka mi shfrytëzu dhe merren prej asamblesë komunale dhe nuk i jep kryetari i komunës është një konkurs që zgjatë 5 muaj. Këtu i ftoj në mënyrë publike edhe disaporën, pasi do të ketë lehtësime për ta, të gjithë ata që dojnë me ardh me investu, mujnë me ardh me investu në Suharekë, këtu presim me fillu punën 94 biznese “
“Zona ekonomike në Shirokë, 5 hektarë ndahen për shërbime publike, për 26 hektarë do të bëhet një plan ku do të shkojnë në asamble komunale, ku kanë me konkurs firmat dhe aty do të zhvillohet bizneset për katër vitet e ardhshëm që presim edhe këtu edhe 500 vende të reja të punës”, tha Muharremaj.
Ai tha se për të shumë më rëndësi do të jetë edhe zhvillimi ekonomik dhe vendet e reja të punës në komunën e Suharekës.
“Mandatin e kaluar kam premtuar 1410 vende të punës, ato i kemi tejkalu diku me 1500. Unë mburrem që kam hapur 4 ambulante të tjera kom hap 4 laboratore të reja të biokimisë”
Muharremaj foli edhe për pronën e “Damperit”, për të cilën ai tha se është një vendim që kjo pronë i është kthyer Kuvendit Komunal të Suharekës në vitin 2018.
Tutje, ai premtoj për blegtorët e Suharekës se do të subvencionoi nga 3 cent për litër të qumështit për ata që e dorëzojnë nëpër pika.