Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Salih Mustafës

10:00 | 24 Shtator 2021
Arditë Shkodra

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë edhe sot gjykimi kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Gjatë ditës së djeshme para trupit gjykues ka dhënë dhe ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i parë i cili pretendonte se është keqtrajtuar në Zllashë gjatë luftës së fundit nga Salih Mustafa.

Aktakuza ndaj tij është konfirmuar më 12 qershor 2020.

Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Në aktakuzën e konfirmuar ndaj Salih Mustafës, thuhet se ai  akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt./arbresh.info/

Të ngjashme