Google ADS

Dëshmitari thotë se gjatë qëndrimit në Zllash e kishte dëgjuar emrin “Cali”, thotë se i njëjti ia kishte vënë pistoletën në kokë

18:11 | 22 Shtator 2021
Përparim Bublaku

Gjatë rimarrjes në pyetje nga prokurori Cezary Michalczuk, dëshmitari i mbrojtur ka konfirmuar se ka dëgjuar gjatë qëndrimit në Zllash të përmendej emri “Cali” dhe se i njëjti ia kishte vënë pistoletën në kokë.Të mërkurën, prokurori Michalczuk lexoi një pjesë të shkurtër të pyetjeve që ia kishte bërë dëshmitarit në seancat e mbajtura ditë më parë.

Ai tha se ato pyetje i kishte parashtruar duke iu referuar deklaratës që dëshmitari kishte dhënë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) gjatë procedurës paraprake.

I pyetur përsëri, dëshmitari konfirmoi deklaratën e tij se sa ishte në Zllash kishte dëgjuar të thuhej emri “Cali” dhe se ai ishte personi që ia kishte drejtuar pistoletën.Lidhur me personin që e kishte rrahur, dëshmitari tha se kishte dëgjuar ta thërrisnin komandant, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me than të drejtën se kom njoftë kush osht ai person kshtu, po e kom ni her-her, i kom ni tu përmend komandant, komandant, edhe në bazë të shenjave, kapelës te kuqe dhe uniformës që ka pas e kom dit që u kon qaj person dhe aj më ka rreh dytën here, qaj person”, ka deklaruar ai.

Paraprakisht, para rimarrjes në pyetje nga prokurori, mbrojtësi i Salih Mustafës, avokati Julious Von Bone ka kërkuar që t’i paraqitet sërish dëshmitarit një dokument që i është paraqitur edhe seancën e një dite më parë, duke kërkuar që i njëjti dokument të mos shihet nga publiku.Lidhur me të, dëshmitari deklaroi se në atë skicë shkruan emri i komandantit të UÇK-së, Fatmir Sopi. Ai fillimisht tha se emrin e kishte shkruar pasi e kishin pyetur se kush ishte komandanti, mirëpo tha se tani nuk e di arsyen pse e ka shkruar.

Tutje, ai bëri të ditur se në skicë te vizatimi në njërën anë shkruhet UÇK, ndërsa në tjetrën policia ushtarake, kurse tha se komandant i policisë ushtarake ka qenë i akuzuari.Dëshmitari tha se përafërsisht e di se distanca nga policia ushtarake te UÇK ka qenë një kilometër.I pyetur lidhur me distancën nga policia ushtarake te UÇK, dëshmitari tha se ka qenë përafërsisht një kilometër.

“Qysh kom mujt zotëri me dit në luftë, qush kom mujt me dal me mat venin sa km, kom than që kam nejt vetëm brenda, çfarë pyetje pom qet këtu”, iu drejtua dëshmitari avokatit, duke theksuar përsëri se nuk ka bërë matje e se nuk është ekspert i këtyre punëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme