Google ADS

Kompleksi Memorial “Adem Jashari” do t’i nënshtrohet një vlerësim të hollësishëm

16:45 | 22 Shtator 2021
Përparim Bublaku

Sot në Qeverinë e Kosovës është mbajtur Mbledhja e dytë e Komitetit Ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në të cilën u diskutua për raportin e vlerësimit të përpiluar nga ekipi i inxhinierëve mbi gjendjen fizike të ndërtesave në Kompleks.

Një vlerësim i këtillë po bëhet për herë të parë në këtë kompleks, ka vlerësuar kryeministri Albin Kurti i cili udhëhoqi takimin.
Gjithashtu, në kuadër të mbledhjes u propozuan anëtarët potencial për Komisionin e ekspertëve, i cili nga momenti i themelimit do t’i prijë gjithë punës profesionale në kuadër të këtij Komiteti.

“Ashtu siç kemi rënë dakord në mbledhjen e parë, dhe sepse ky është ndër proceset dhe projektet më delikate të Republikës sonë, do të punojmë me hapa të sigurt, pa u ngutur, por edhe pa humbur kohë. Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të përmasave botërore, çfarë është edhe figura e Adem Jasharit. Një kompleks memorial që do të rrëfejë dinjitetshëm dhe me standard të arrirë artistik rezistencën e popullit dhe luftën për liri, pavarësi e bashkim”, tha kryeministri Kurti, thuhet në komunikatën e MKRS-së.

Më pas, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, njoftoi të pranishmit për raportin vlerësues mbi gjendjen e ndërtesave në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ekipi i ekspertëve nga Fakulteti i Ndërtimtarisë kanë analizuar pesë ndërtesat e Kompleksit Memorial. Raporti përfundimtar përmban 200 faqe, dhe është i mbështetur tërësisht në metodologji, hulumtime dhe analiza profesionale-shkencore, shpjegoi ministri Çeku.

Në raportin vlerësues në tri objektet e para, është paraparë mbrojtje e ndërtesave nga shembjet progresive dhe sanimin e elementeve primare që janë dëmtuar, por që nuk janë klasifikuar për intervenim emergjent të tërësishëm. Ndërsa në objektin nr. 4 dhe nr. 5, është e nevojshme të ndërhyhet urgjentisht për marrjen e masave mbrojtëse duke i klasifikuar për intervenim emergjent të tërësishëm.

Me miratimin e këtij raporti, Komiteti mandatoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme në ndërtesat e lartpërmendura./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme