Koeman lexon një deklaratë dhe largohet nga konferenca papritmas

16:07 | 22 Shtator 2021
KRG

Ronald Koeman ka bërë thirrje për durim gjatë përpjekjeve të Barcelonës për rindërtimin e klubit në një kohë krize, pasi e lexoi një deklaratë në një konferencë për shtyp, ku nuk pranoi t’iu përgjigjej pyetjeve.

Trysnia ndaj trajnerit holandez është duke u rritur, për shkak të rezultateve të dobëta të ekipit javëve të fundit.

Është përfolur vazhdimisht se Koeman do të shkarkohet, por ai thotë se klubi është me të dhe se e kupton se do të nevojitet kohë për ta ndërtuar një ekip që është në gjendje të luftojë për tituj përsëri.

Koeman iu drejtua gazetarëve të mërkurën dhe e lexoi një deklaratë të shkurtër.

58-vjeçari nuk pranoi pyetje dhe u largua menjëherë pasi argumentoi se nevojitet durim për t’i tejkaluar telashet financiare dhe për ta ndërtuar një ekip që mund të jetë përsëri forcë e madhe në Evropë.

“Unë e kam përkrahjen e klubit si trajner në një gjendje rindërtimi. Gjendja financiare e klubit lidhet me aktivitetet sportive dhe anasjelltas. Kjo nënkupton se ne se ekip duhet të rindërtohemi pa bërë ndonjë investim të madh financiar. Kjo kërkon kohë”, tha Koeman.

“Talentet e reja sot mund të bëhet yjet e ardhshme botërore brenda vetëm pak vitesh. Ne kërkojmë durim”, shtoi ai. /GE/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme