Ky është premtimi i Hazirit për nënat lehona gjatë mandatit të ardhshëm në Gjilan

01:07 | 22 Shtator 2021
Trina Galanxhi

Lutfi Haziri i LDK-së, i cili garon për mandatin e pestë për kryetar të Komunës së Gjilanit, tha se për mandatin tjetër katërvjeçar ka prioritete të caktuara, të cilat përfshijnë vazhdimin e pakos së familjes, të vazhdojë ta ruajë arsimin dhe që të ketë reformë të administratës dhe riorganizim të normës e të shkollës profesionale.

Po ashtu Haziri u shpreh se si shtyllë të dytë dhe jo më pak të rëndësishme e ka shëndetësinë primare, gjegjësisht politika të ofrimit të mjekut në shtëpi, sepse siç tha, periudha e pandemisë e ka dëshmuar se kjo është funksionale dhe efikase.

“Do të ndërtojmë politika që mjeku në shtëpi të garantojë kujdes për çdo familje. Po ashtu kujdesi ndaj fëmijëve në shkolla, ekonomia lokale – zhvillimi ekonomik lokal”.

Haziri përmendi edhe spitalin e ri të ndërtuar, i cili tha se është gati dhe që do të ofrojë shërbim për 24 orë.

Kryetari aktual i Gjilanit po ashtu gjatë emisionit Edicioni Zgjedhor në Klan Kosova premtoi se do ta rrisë pjesëmarrjen e vajzave dhe grave për 50 përqind në role ekzekutive, si dhe foli për ndërtimin e një lagjeje prej 10 objektesh, ku do të gjejnë përfaqësim personat me nevoja të veçanta dhe shtresa të tjera të shoqërisë të cilët kanë nevojë për ndihmë.

Përveç kësaj, Haziri u shpreh se mbështetja financiare për nënat lehona të kësaj komune do të ishte e mjaftueshme si ajo e bursës së studentit, që i bie rreth 400 euro për një nënë lehonë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme