Reciprociteti, Kurti pret në zyre ambasadorët e Quint-it: Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar

14:21 | 21 Shtator 2021
S D

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUIN-it.

Takimi ka ardhur një ditë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj targave të shtetit serb, shkruan arbresh.info.

Lajmi është bërë i ditur nga zyra për media e Qeverisë së Kosovës.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshm,  Xhelal Sveçla, priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe, ambasadorin e Gjermanisë, Joern Rohde, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, zëvendës-shefin e Misionit të Italisë në Kosovë, Ugo Ferrero, dhe Përfaqësuesin e Posaçëm e Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim, u diskutua mbi vendimin e djeshëm rreth pajisjes me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Kurti i informoi ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar dje dhe sot nuk ka pasur incidente. Ai tha se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.

Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar, tha Kurti, duke theksuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

“Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpiejnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata, si dhe se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet”, tha kryeministri Kurti

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, theksoi kryeministri Kurti.

Ai i njoftoi ambasadorët edhe për bisedën telefonike që ka pasur mbrëmë me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrell.

Ministri Sveçla tha se policët tanë janë në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

“Qytetarët serbë nuk kanë pse të ndjehen të frikësuar, potencoi ai. Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim”, tha ministri.

Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë./arbresh.info/

Të ngjashme