Google ADS

Kurti dhe ambasadorja e Finlandës diskutuan për bashkëpunim në fusha të ndryshme

20:19 | 20 Shtator 2021
Përparim Bublaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall kanë zhvilluar sot një takim të rregullt pune. Përgjatë tij u bisedua për marrëdhëniet miqësore në mes Kosovës dhe Finlandës dhe fushat për përparimin e tyre, sidomos në ato të teknologjisë së informacionit, zhvillimit social dhe ekonomik si dhe për projektet kapitale të Kosovës, si ato në energjinë e ripërtëritshme, në të cilat Finlanda mund të ofrojë ndihmën e saj.

Në takim u diskutua edhe për situatën pandemike, e cila në javën e ditët e fundit ka shënuar përmirësim falë masave të ndërmarra nga qeveria dhe respektimit rigoroz të tyre nga qytetarët. Sot janë shënuar vetëm 48 raste të reja, numri më i ulët i rasteve të reja që nga 1 gushti.

Ndërkohë që procesi i vaksinimit po vazhdon me ritëm të lartë teksa deri sot janë administruar afër 1.2 milion vaksina.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadoren Stjernvall për gatishmërinë dhe mbështetjen e pareshtur që shteti i Finlandës i ka dhënë Kosovës dhe popullit të saj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme