Tre emigrantë u gjetën të pajetë, Polonia dërgon 500 trupa shtesë në kufi me Bjellorusinë

15:04 | 20 Shtator 2021
KRG

Polonia ka dërguar 500 trupa shtesë në kufi me Bjellorusinë në mënyrë që ta forcojë mbrojtjen kundër presionit në rritje të emigrantëve, që Varshava thotë se është orkestruar nga Bjellorusia dhe Rusia për të destabilizuar Bashkimin Evropian.

“Kemi të bëjmë me një aksion të mirëorganizuar të drejtuar nga Minsk dhe Moska,” tha kryeministri Mateusz Morawiecki në një konferencë shtypi.

“Ne do të mbrojmë kufirin e Polonisë me vendosmëri të plotë,” tha Morawiecki pas një takimi me ministrin e brendshëm dhe kreun e rojeve kufitare.

Kjo vjen pasi tre emigrantë, përfshirë një irakian, u gjetën të vdekur dje pranë kufirit me Bjellorusinë. Ata kishin vdekur nga hipotermia dhe lodhja.

Anëtarët e BE-së, Polonia dhe Lituania, të cilat janë pjesë e kufirit lindor të bllokut, po përballen me presione në rritje të emigrantëve në kufijtë e tyre me Bjellorusinë.

Ata thonë se është një “sulm hibrid” nga regjimi i presidentit Bjellorus Aleksandër Lukashenko në Minsk që synon destabilizimin e BE-së prej 27 vendesh.

Ata thanë se Bjellorusia ka prezantuar udhëtime pa viza me disa vende të Lindjes së Mesme që kanë “potencial migrimi” për të sjellë emigrantë dhe për t’i shtyrë ata drejt Polonisë dhe Lituanisë.

Polonia dhe Lituania po ndërtojnë gardhe me tela, kanë shtuar patrullat kufitare dhe kanë vendosur një gjendje të jashtëzakonshme të përkohshme përgjatë kufijve të tyre për të ndaluar migrimin ilegal.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme