Ministrja e Mbrojtjes e Francës, Florence Parly, anuloi një takim me homologun e saj britanik, Ben Wallace, për shkak të zemërimit që nxiti një marrëveshje e sigurisë midis Britanisë, SHBA-së dhe Australisë.
Takimi do të mbahej këtë javë në Londër.
Me marrëveshjen Aukus që u arrit javën e kaluar, SHBA-ja dhe Britania e Madhe do t’i japin Australisë teknologji për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore, për herë të parë.
Parisi është i zemëruar, pasi me paktin Aukus, Australia i dha fund një kontrate me Francën për ndërtimin e 12 nëndetëseve konvencionale.
Kjo kontratë, në vlerë prej 37 miliardë dollarësh, ishte nënshkruar në vitin 2016.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, e cilësoi paktin Aukus si “goditje në shpinë”, që, siç tha, përbën “sjellje të papranueshme midis aleatëve dhe partnerëve”.
Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, e mbrojti vendimin e tij për të anuluar marrëveshjen me Francën, në favor të paktit Aukus.
Ai tha se e kupton zhgënjimin e Francës, por shtoi se ka qenë gjithmonë i qartë në lidhje me pozicionin e Australisë.
Qeveria franceze “ka pasur çdo arsye për të ditur se ne kemi shqetësime të thella dhe të rënda”, tha ai.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pritet të zhvillojë bisedime me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, në ditët në vijim.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se Franca nuk ka përse të shqetësohet me paktin Aukus.
Me këtë marrëveshje, Australia do të bëhet vendi i shtatë në botë që operon nëndetëse me energji bërthamore.
Vendet e tjera që kanë të tilla janë: SHBA-ja, Rusia, Kina, Britania, Franca dhe India. /REL/
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë