Ramush Haradinaj kërkon sqarime pse “baba i tenderëve” punon ende në ministri

11:12 | 20 Shtator 2021
KRG

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar sqarime përse Nexhat Krasniqi i njohur si “baba i tenderëve” punon ende në ministrinë e Infrastrukturës.

Ai në seancë e Kuvendit ka pyetur Qeverinë, nëse ende ai është kriminel, siç është quajtur nga deputetët e VV-së, sa ky ishte në krye të Qeverisë.

“Kur unë kam qenë në Qeveri, pyetjen më të shpeshtë që ma kanë bërë deputetët e VV-së ka qenë se kur do ta shkarkoj Nexhat Krasniqin”.

“Po ju pyes juve për Nexhat Krasniqin. A është baba i tenderëve, a është kriminel apo jo. Do ju shkruaj edhe një letër për këtë”, pyeti Haradinaj.

Nexhat Krasniqi, që ndryshe njihet si “baba i tenderëve” ka humbur betejën në Gjykatën Supreme të Kosovës, me sekretarin e përgjithshëm që ishte ushtrues detyre në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Me vendimin e Gjykatës Supreme në fund të muajit nëntor, Nexhat Krasniqi është larguar përfundimisht nga pozita e tij të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Përkundër se Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Apelit, i kishin dhënë përparësi Krasniqit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe në Gjykatën Supreme.

Krasniqi, është larguar përfundimisht nga posti i udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare./EO/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme