Deklaratat e emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në lidhje me mundësin e kërkesës për ndryshime të Kushtetutës së Kosovës, po shihen si të cenueshme dhe mjaftë të rrezikshme për Kosovën, shkruan arbresh.info.
Sipas njohësve, marrëveshja me Serbinë mund të bëhet pa cenimin e Kushtetutës së Kosovës, në të kundërtën nuk duhet negociuar.
Qemajl Marmullakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), për arbresh.info tha se karakteri unitar i Kushtetutës së Kosovës, në tryezën e dialogut duhet të jetë i pa cenueshëm dhe se Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejoj tejkalime në këtë drejtim.
“Nder parimet kyçe është edhe karakteri unitar dhe kushtetues i Kosovës i cili është i pa prekshëm dhe pa negociushem. Prandaj, besoj që z. Lajçak është i njoftuar me këtë dhe se nëse kërkohet nga ndonjëra palë për ndryshime kushtetuese këtë duhet ta kërkoj ne Beograd. Mirëpo nga ana tjetër, edhe Qeveria duhet të jetë e kujdesshme në atë se çfarë lejohet të behët temë e dialogut e lere më në atë se çfarë marrëveshje arrihen. Qeveria nuk duhet të lejoj tejkalime nga parimet e vendosura dhe të dakorduara, qoftë edhe në aspekte të matjes së pulsit politik pasi që nëse lejohet qasje e tillë shumë shpejt mundë të bëhet subjekt i diskutimeve zyrtare”, tha Marmullakaj.
Sipas Marmullakaj, dialogu me Serbinë duhet të jetë transparent, dhe i koordinuar, dhe tu përmbahet parimeve politike të cilat janë vendosur.
“Dialogu me Serbinë duhet të jetë proces i vazhdueshëm nga ajo çfarë është arrit dhe dakorduar deri me tani. Them këtë pasi që në fillimet e tija (të dialogut) në dialog janë vendosur parimet e përgjithshme të mbarëvajtjes së tij, parime të cilat janë dakordu si nga spektri politik i Kosovës e po ashtu edhe lehtësuesit e dialogut (BE). Prapë e ritheksoj, për të evituar çfarëdo keqkuptimi, Dialogu duhet të jetë me transparent, i koordinuar dhe konsultuar me mekanizmat relevant dhe partitë politike, dhe të jetë transparent. Mbajtja e kësaj qasje lehtëson në masë punën e Qeverisë dhe mbarëvajtjen e dialogut”, deklaroi Marmullakaj.
E analisti politik Shkodran Ramadani, për arbresh.info tha se nëse ndodh atëherë ndryshimet do të bëheshin në dy vendet, por që Kosova do të pësonte në këtë rast.
“Ndryshimet kushtetuese do të shkonin në dëm të Kosovës edhe nëse thuhet që ndryshimet do të bëhen në dy vendet pra në dy kushtetutat si ajo e Serbisë po ashtu edhe e Kosovës, për shkak se ndryshimet nuk kanë me qenë të barabarta. Nëse ndryshon kushtetuta e Serbisë atu ndryshon preambula e kushtetutës, nëse ndryshon preambula në Serbi i bëjnë që nuk ndërron kushtetuta në thelb por vetëm një akt deklarativ, simbolik i kushtetutës jo i rëndësishëm”, tha Ramadani.
Ramadani tutje përmendi edhe riorganizimin territorial që do të ndikonte ne zgjerimin e kompetencave të asociacionit të komunave.
“Ndërkohë që në Kosovë ndryshimet do të ishin shumë më radikale për shkak se duhet riorganizim territorial edhe zgjerim i kompetencave të Asociacionit të Komunave por edhe gjithashtu ndryshimi i Kushtetutës në Kosovë nuk e merr parasysh, faktin që tashmë në Kushtetutë të Kosovës është e inkorporume pakoja e Ahtisarit e cila në vetvete është një kompromis shumë i madh nga ana e Kosovës, kështu që çdo ndryshim i më tutjeshëm i Kushtetutës do të kishte pasoja shumë të rënda dhe të padëshirueshme për Kosovën. Unë besoj që Serbia do ta refuzonte një marrëveshje pa ndryshim kushtetute por nuk do të thotë që duhet të ndryshohet Kushtetuta për shkak që ato ndryshime do të ishin shumë të dhimbshme dhe të rënda për vetë ekzistencën e Kosovës”, deklaroi Ramadani.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në takim me Lajçakun theksoi se institucionet e Kosovës janë të vendosura që të vazhdojnë dialogun, i cili duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve, pa prekur rendin kushtetues dhe territorin e Republikës së Kosovës.
Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, është shprehur pesimist sa i përket kësaj çështjeje, edhe pse thotë se do të ishte opsioni më i mirë nëse nuk do të prekej Kushtetuta e Kosovës.
Kreu u ekzekutivit, Albin Kurti, ka shprehur qëndrimin se ndryshimi i tillë kushtetues duhet të bëhet pasi që sipas tij, është i nevojshëm ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë./arbresh.info/
Maqedonci: Pjestarët serbë të FSK-së e lanë detyrën për shka...
Pas Mbappes edhe Salah humb penalltinë
Ambasada e Shqipërisë në Kosovë feston 28 Nëntorin, Kurti: K...
Mbappe dështon të shënoj nga penalltia
Hoti: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e P...
Policia e Kosovës pranon donacion dy automjete nga Gjermania