Google ADS

Ngjarje e rëndë në Divjakë: Vret gruan me armë gjahu në banesë dhe më pas veten

19:59 | 18 Shtator 2021
Trina Galanxhi

Pas ngjarjes tragjike në Fier ku burri vrau ish bashkëshorten, një tjetër rast i rëndë është shënuar në Divjakë. Hekuran Rrasa, 58 vjeç, ka vrarë me armë gjahu në banesë gruan e tij Fëllënxë Rrasa, 45 vjeçe.

Pas këtij akti të rëndë, 58-vjeçari më pas ka vrarë dhe veten. Ngjarja është shënuar në fshatin Babunjë të Divjakës. Kur policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka gjetur dy trupat e pajetë, ndërsa ja sekuestruar edhe armën e gjahut.

Grupi hetimor vijon punë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe shkaqet që e çuan burrin varrës të ndërmarrë këtë hap.

Pak ditë më parë një ngjarje e tillë u regjistrua edhe në Zhupan të Fierit, ku 23-vjeçarja Sabrina Bengaj u vra nga ish-burri i saj Elton Meta, duke lënë pas një fëmijë të vogël. Rasti i Sabrinës ishte një rast i paralajmëruar pasi nëse drejtësia do të kishte funksionuar siç duhej sot ajo do të ishte gjallë. Në shtator të vitit 2020, 31-vjeçari Meta, me kallashnikov në duar, shkoi në shtëpinë e ish-bashkëshortes duke kërcënuar se do të vriste veten e duke terrorizuar atë dhe familjen, por pavarësisht kësaj, ai ia hodhi lehë, duke qëndruar vetëm 6 muaj në spitalin e burgut të Zaharisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme