Storie brenda Arkivit të Kosovës, “Serbia në vazhdimësi ka hulumtuar dokumentacionin”

11:11 | 18 Shtator 2021
L G

Pala serbe së fundi ka rënë dakord që të hapen të gjitha arkivat, duke e kushtëzuar Kosovën të hap arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), shkruan arbresh.info.

Ideja se brenda Arkivit Shtetëror të Kosovës ekziston sektori i Arkivit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ngritur polemika nga të gjitha anët, madje një gjë e tillë është mohuar kategorikisht.

Evidentimi i dokumenteve të cilat hynë në këtë arkiv nuk kalon pa u proceduar dhe regjistruar.

Ruzhdi Panxha, Drejtor në Departamentin e Veprimtarisë Arkivore, për arbresh.info tha se qysh nga dokumenti i parë deri në të fundit të gjithë janë të regjistruar në librin e Inventarit.

“Qysh nga dokumenti i parë që janë evidentua që është pranu në arkivin e Kosovës atëherë edhe deri në numrin e fundit i cili është 664i datës 22 muajit prill të vitit 2021, janë të regjistruar komplet. Nuk mund të hynë pa u regjistrua pa u ba si procesverbal kështu që të gjitha dokumentet çka i posedon agjencia në këtë rast veprimtarisë arkivore janë të evidentuar dhe të regjistrum dhe asnjë nuk mund të largohet nga kjo depo”, tha Panxha.

Një sektor që ka të bëjë vec me UÇK-në nuk ekziston në Arkivin Shtetërore të Kosovës, dhe që nga hyrja e deri ne fund të saj arrin t’i shohësh të gjitha dokumentet të emëruar dhe të radhitura në bazë të rëndësisë dhe veçantisë.

Dokumentet që cilësohen embargo nuk gjendën në Arkivin Shtetëror të Kosovës tha Panxha.

“Këtu të gjitha janë të rregulluara me numra rendor, me numrin e lëndës e po ashtu janë të krijuara në databazë, në mënyrë që të gjendet dhe të dihet se cili numër kërkohet. Regjistri i dokumenteve që kanë hy në arkivën shtetërore të Kosovës i tëri është i publikuar në ëebsit-in e AShK-së. Pra agjencia nuk ka dokumentacion që ka embargo, asnjë dokumente nuk e ka të mbyllur, i tërë dokumentacioni prej 8km në nivel vendi çka është dokumentacion i qasshëm, jo tash por prej themelimit të arkivit sepse është parimisht dokumenti kur krijohet i qasshëm ai edhe mbetet i tillë. Ndërsa dokumentacioni kur është i klasifikuam në bazë të ligjeve ai klasifikohet por nuk ka ardh tek ne, ne nuk kemi dokumentacion që është i mbyllur, i tëri është i qasshëm për të gjithë qytetarët, qoftë mediat, shkencëtarët, studentët”, deklaroi Panxha.

Autori i librit “ Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”, Nusret Pllana, për arbresh.info, mohon kategorikisht që ekziston një sektor i tillë në Arkivin e Shtetëror të Kosovës, edhe pse në referencë të librit të tij thuhet qartë që ekziston.

“Me të hapur librin shkruan Arkivi Shtetëror i Kosovës-UÇK. Por unë po e them arkiv të UCK-së nuk ka pasur kurr, unë kam punuar në arkivin shtetërore dhe gjatë asaj kohe e kam përgatitur këtë libër jam marr me vlerën e dokumentacioneve, fotografive dhe e kam finalizua dhe e kam quajtur sektor të arkives së UCK-së, sepse unë vetë kamë qenë nga fillimi deri në fund pjesëmarrës i luftës si gazetar. Kështu që këto trillime këto gënjeshtra duhet me u demantua në vazhdimësi dhe Serbia duhet me u marr me arkivat e veta dhe se veq gënjen e trillon se nuk i hap arkivat. Në momentin që Serbia i hap arkivat e veta, arkivat sekrete, ajo menjëherë e dinë që duhet me u përball me gjenocid, me aktakuzë për gjenocid”, tha Pllana.
Ndërkaq Drejtoresha për Politikë Zhvillimore në Arkivin Shtetërore të Kosovës, Shpresa Mekaj, për arbresh.info tha se arkivi posedon materiale të ndryshme dhe se të gjitha gjenden në depo.
“Arkivi i Kosovës posedon materiale të natyrave të ndryshme, për më shumë mundeni me pa librin e inventarit, pasi që materiali kur vjen në arkiv regjistrohet në libër të inventarit hyrës, me tu regjistruar e merr një numër dhe dërgohet në depo dhe pasi që të vendoset në depo nuk ka kthim mbrapa nuk del prej arkivit”, tha Mekaj.
Interesimi nga mediat serbe, shkencëtarët e deri tek personat e thjesht ka qenë i pranishëm në arkivin e shtetit për vite me radhë.

Një gjë të tillë e konfirmoi edhe Panxha duke thënë se të gjithë janë lejuar madje ka pasur edhe dërgesa me email të dokumenteve të caktuara palës serbe.

“Kemi pas interes prej shkencëtarëve serb që kanë kërkua për x dokumente nëpër mes mënyrës elektronike, ka pas që kanë ardhur fizik. Ne e posedojmë sallën e hulumtimeve këtu dhe secili i interesum që i duhet materiali, ne e dërgojmë në sallën e hulumtimeve në prezencë të zyrtarit që rrinë në këtë sallë dhe çka i duhet i fotokopjohet, pasi që origjinali nuk del prej arkivit ky është parim ligjor edhe standard ndërkombëtar”, tha Panxha.

Mekaj po ashtu tha se interesi nga pala serbe për arkivin e shtetit vazhdon akoma.

“Po ka pas nga Serbia të interesum për me hulumtu në arkivin e Kosovës edhe këtë vit ka pas prej Beogradi ka ardh ka hulumtua si gjithë qytetarët. Arkivi i Kosovës është hapur me shtatë qendrat ndër komunalë që i ka përfshirë edhe këtë në qendër, kështu ka qenë dhe do vazhdojë të jetë”, tha Mekaj.
Ditë më parë Andin Hoti, kryesuesi i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur dhe kryetar i delegacionit për bisedime për çështjen e personave të zhdukur, ka sqaruar temat për të cilat u dakorduan palët nga Kosova dhe Serbia gjatë takimeve të fundit në Bruksel.

“Lidhur me arkivat, pas dakordimit të palës serbe, kemi ofruar bashkëpunim të plotë dhe e kemi ftuar Lajçak për qasje të plotë në arkivat shtetërore të Kosovës, me qëllim që të heqim çfarëdo dyshimi që mund të kenë sa i përket ‘shpikjes së tyre për arkivat e UÇK-së’. Arkivat e Kosovës kanë qenë dhe janë të hapura, prandaj marrëveshja është në interesin tonë sepse vetëm na mundëson qasje në arkivat ushtarake të Serbisë, e që është barriera kryesore për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë”, kishte shkruar Hoti./S.D/arbresh.info/

Të ngjashme