Google ADS

Konjufca: S’jam optimist se marrëveshja përfundimtare me Serbinë arrihet pa u prekur Kushtetuta e Kosovës

21:27 | 16 Shtator 2021
Trina Galanxhi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur mbi detajet e takimit të sotëm me Emisarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

Konjufca, në Klan Kosova, tha se nga Lajçaku ka kërkuar të mos ketë bisedime për pavarësinë dhe territorin e vendit, pasi sipas tij Lajçaku në të kaluarën ka dhënë deklarata të cilat e kanë dëmtuar interesin e Kosovës.

“Këtë duhet t’ia thotë çdo zyrtar shtetëror i Republikës së Kosovës Miroslav Lajçakut, për shkak se kur e mori mandatin për të qenë njeriu kryesor i mandatuar nga Bashkimi Evropian për ta udhëhequr pozicionin dhe përgjegjësinë e ndërmjetësit kryesor në dialogun Kosovë- Serbi Lajçak i pati disa deklarata të cilat mendoj se e kanë dëmtuar interesin e Republikës së Kosovës”.

Ai tha se deklaratat e Emisarit të BE-së si ajo për mundësinë e prekjes së Kushtetutës së Kosovës janë të rrezikshme për vendin.

“Deklarata të cilat nënkuptonin disa mesazhe që ai i lëshonte në drejtim të kornizës së marrëveshjes, e cila sipas tij nuk e përjashton mundësinë e prekjes së Kushtetutës së Kosovës. Kjo ma merr mendja që është shumë e dëmshme. Edhe kryeministri edhe presidentja dhe zyrtarë të tjerë, zëvendëskryeministri Bislimi për shembull i cili po udhëheq ekipet e dialogimit, ia kanë bërë të qartë Lajçakut që kjo qasje nuk është e mirëpritur në Kosovë. Nëse insistohet që zgjidhja përfundimtare me Serbinë do ta ketë formën e ndryshimit të vetë Kosovës nga aspekti institucional kushtetues, për neve kjo është shumë e rrezikshme. Është një qasje që në fund rrezikon me cenimin e rendit juridiko-kushtetues të Republikës së Kosovës, por gjithmonë në favor të Serbisë”.

Kryetari i Kuvendit shtoi se duke pasur parasysh pushtetin në Serbi nuk beson se mund të arrihet marrëveshje përfundimtare pa u prekur Kushtetuta e Kosovës.

“Unë mendoj se kjo (marrëveshja përfundimtare pa u prekur Kushtetuta e Kosovës) do të ishte opsioni më i mirë për Kosovën, por nuk jam shumë optimist që kjo do të arrihet. Përse nuk jam optimist? Pesimizmi im ka të bëjë me përmbajtjen e pushtetit në Serbi, me çfarë natyre pra ka qeveria e Serbisë dhe le të themi koalicioni qeverisës atje, pra ai dominohet totalisht nga një forcë politike e cila rrënjët e saj politiko-ideologjike i ka në hegjemonizmin serb i cili le të themi ndoshta në momente të caktuara historike e ka përjetuar ndonjë modifikim dytësor, por orientimin esencial që një shekull e gjysmë, së paku nga Kongresi i Berlinit, e ka të njëjtë për të realizuar atë që e tha [Aleksandar] Vulini e të cilin e mbështeti [Aleksandar] Vuçiqi para rreth një muaji për krijimin e një bote serbe”.

Të ngjashme