I dërguari i Shteteve të Bashkuara për paqen në Afganistan thotë se kishte siguruar një marrëveshje të minutës së fundit me talebanët në muajin gusht, për mbajtjen e rebelëve jashtë Kabulit, ndërsa negociohej tranzicioni politik. Por, ai thotë se largimi nga vendi i Presidentit Ashraf Ghani e dëmtoi planin.
I dërguari amerikan (i lindur në Afganistan) Zalmay Khalilzad e bëri këtë zbulim gjatë bisedës me gazetën The Financial Times, duke shtuar se kishin arritur marrëveshjen për një periudhë pauze dyjavore, vetëm pak orë përpara se kryeqyteti afgan të binte në duart e talebanëve më 15 gusht. Ai tha se arratisja e zotit Ghani la një vakum sigurie në qytet, që e nxiti grupin islamik të marshonte drejt qytetit po atë ditë.
Zoti Khalilzad shpjegoi se marrëveshja do ta lejonte zotin Ghani të vazhdonte në postin e tij derisa të arrihej një zgjidhje në Doha për një qeveri të re, megjithëse talebanët do të qëndronin në portat e Kabulit.
Konfirmimi i talebanëve
Një zyrtar taleban konfirmoi të mërkurën detajet e mirëkuptimit të arritur me zotin Khalilzad në Doha, kryeqytetin e Katarit, ku rebelët mbajnë zyrën e tyre politike.
“Po. U dha fjala e xhentëllmenit nga pala jonë se forcat nuk do të hynin në Kabul dhe do të bisedonim për një transferim paqësor të pushtetit”, i tha Zërit të Amerikës nga Doha zëdhënësi taleban Suhail Shaheen.
Zoti Khalilzad i tha gazetës Financial Times se nuk kishte asnjë dijeni se zoti Ghani kishte ndërmend të largohej në azil në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Pati probleme të rendit dhe ligjshmërisë në Kabul, pas largimit të Ghanit… Talebanët pyetën nëse do ta merrnim ne përgjegjësinë tashmë për sigurinë e Kabulit. Dhe e dini se ç’ndodhi në vazhdim, ne nuk e merrnim dot përgjegjësinë”, tha i dërguari amerikan.
Zoti Khalilzad negocioi një marrëveshje me talebanët në shkurt 2020, duke i hapur rrugën Shteteve të Bashkuara që të kthenin në atdhe të gjitha trupat amerikane nga Afganistani pas gati 20 vitesh përfshirje në luftën afgane.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken gjithashtu ka deklaruar vazhdimisht ditët e fundit se ai kishte marrë garanci nga Ghani në prag të ikjes së tij se presidenti afgan mbështeste planin e Uashingtonit.
“Ajo që ai [Ghani] më tha në bisedën një natë para se të ikte është se, siç tha ai, ishte i përgatitur të ‘luftonte deri në vdekje’,” tha Sekretari Blinken për Tolo News, me seli në Afganistan, në fillim të këtij muaji.
Zoti Ghani ka bërë deklarata ditët e fundit nga Emiratet e Bashkuara Arabe duke kërkuar falje për “braktisjen” e afganëve dhe duke thënë se ai ka vepruar sipas këshillave të organeve të sigurisë të pallatit presidencial. Ish-presidenti gjithashtu hodhi poshtë akuzat se u largua me dhjetëra miliona dollarë të vjedhur me vete.
Qeveria e përkohshme
Talebanët njoftuan një qeveri të përkohshme javën e kaluar në Afganistan, 20 vjet pasi u dëbuan nga pushteti nga operacioni ushtarak ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të strehimit të udhëheqësve të al-Kaidas.
Talebanët vendosën ligje të rrepta islame kur ishin më parë në kontroll të vendit nga 1996 deri në 2001.
Një sistem brutal i drejtësisë, keqtrajtimi i pakicave afgane, ndalimi i grave nga jeta publike dhe ndalimi i vajzave nga arsimimi shënuan sundimin taleban në atë kohë, duke çuar në izolimin global të Afganistanit.
Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera tani po i bëjnë presion talebanëve që të mos e rikthejnë sistemin e tyre të qeverisjes së ashpër nëse duan që vendi i tyre të mbetet pjesë e bashkësisë ndërkombëtare dhe të fitojë njohje diplomatike për një qeveri të udhëhequr nga talebanët në Kabul./voa/
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...
Fjalim prekës nga gjyshit i 14-vjeçarit të vrarë: S’dua t’i ...
Klinika e Urologjisë në QKUK rikthen shërbimin ESWL për traj...
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...