Koeman: Bayerni është ekip i madh me futbollistë cilësorë, por mund të marrim rezultat pozitiv

13:37 | 14 Shtator 2021
KRG

Sonte fillon edicioni i ri i Ligës së Kampionëve.

Barcelona e pret në shtëpi Bayernin me fillim nga ora 21:00.

Para ndeshjes trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman ka folur në konferencë shtypi.

“Bayern është ekip i madh, me cilësi shumë të mira individuale, me lojtarë me përvojë. Kam shumë shpresë se mund të konkurrojmë në Ligën e Kampionëve. Luajmë në shtëpi dhe do të përpiqemi të marrim rezultat të mirë”.

“Kemi pasur ndryshime të rëndësishme në ekip, por futbolli nuk të jep shumë kohë. Kjo është arsyeja pse kjo është një ndeshje interesante nga e cila mund të nxjerrim përfundime për nivelin tonë”.

Humbja 8-2 ndaj Bayernit në vitin 2020? “Kemi folur për atë që ndodhi më shumë se një vit më parë. Është një mundësi për të ndryshuar situatën për ata që e përjetuan atë humbje. Do te jetë një ndeshje me intensitet dhe ne mund ta godasim Bayernin. Mund t’ia dalim”.

“Mendoj se fizikisht jemi mirë. Ata që kanë qenë me kombëtaret kanë pushuar, kurse pjesa tjetër janë stërvitur shumë”.

Triumfi në LK? “Është një pyetje të cilës nuk mund t’i përgjigjem. Sonte mund të nxirren përfundimet. Rivali ynë do maksimumin, kurse vjet e fitoi Chelsea dhe nuk ishte favorit”.

Rinovimi i kontratës? “Nuk ka asnjë kusht në kontratën time, por nuk dua të flas më. Si çdo trajner, për të qenë pjesë e Barcelonës duhet të fitosh ndeshje. Jemi në një moment ndryshimi, pjesa tjetër nuk është e rëndësishme. E ardhmja ime nuk është e rëndësishme, ajo e klubit dhe e skuadrës, po”.

Raporti me presidentin Joan Laporta? ” Nuk kam asnjë problem me presidentin. Kemi marrëdhënie perfekte, askush nuk ankohet. Ka pasur gjëra të vogla, për të cilat kemi folur dhe kemi rënë dakord”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme