Gërvalla: Asnjë vend në rajon, e as në Evropë, nuk është aq mbështetës ndaj BE-së dhe NATO-s sa Kosova

10:57 | 13 Shtator 2021
Arbresh.info

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj.Donika Gërvalla, së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës z.Albin Kurti dhe drejtorin e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung (FES) për Kosovë z.René Schlee, morën pjesë sot në hapjen e edicionit të shtatë të Shkollës Diplomatike që po zhvillohet në Pejë.

Ky edicion i bashkë organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe FES, ka mbledhur diplomatë nga 16 shtete të botës të cilëve ministrja Gërvalla u ka shprehur mirëseardhje, gjatë ceremonisë së hapjes së punimeve pesëditore të kësaj shkolle.

Me këtë rast ajo ka vlerësuar se në një botë ku ndryshimi dinamik është një prej dukurive kryesore, është thelbësore që të mblidhen përfaqësues të fushave të ndryshme nga vende të ndryshme, për shkëmbim përvojash dhe dialog mbi botën në të cilën po jetojmë, sfidat aktuale  dhe të ardhshme. Në veçanti ka theksuar se është tepër i vlefshëm shkëmbimi në rrafshin diplomatik.

Gërvalla tutje u ka shpjeguar diplomatëve të huaj traditat dhe veçantitë e vendit.

“Kosova është një vend i vogël, por shumë i veçantë. Ne nuk jemi vetëm vendi më i ri në Evropë. Ne gjithashtu kemi popullsinë më të re sipas moshës. Asnjë vend në rajon, madje as kudo tjetër në Evropë, nuk është aq mbështetës ndaj BE-së dhe NATO-s. Në sondazhet e fundit ne regjistruam mbështetje për këto dy struktura kryesore ndërkombëtare me më shumë se 90% të qytetarëve. Kjo është unike, dhe kjo përfaqëson vullnetin e njerëzve tanë dhe strategjinë e qeverisë sonë”, ka thënë ajo. Gjithashtu ka folur për aspiratat dhe angazhimin e Kosovës për integrim në strukturat Euro-Atlantike.

Ministrja Gërvalla, ka theksuar para pjesëmarrësve se Republika e Kosovës në të njëjtën kohë po punon me shumë partnerë të tjerë në të gjithë globin për të zhvilluar dhe thelluar më tej bashkëpunimin e ndërsjellë. Me më shumë se njëqind vende ka thënë se ekzistojnë marrëdhënie zyrtare. Po ashtu ka bërë të ditur angazhimin qeveritar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. “Duke zbatuar një sërë reformash, mbi të gjitha me fokusin e saj të qartë në vendosjen e sundimit të ligjit, Qeveria e re po demonstron ndryshimin, i cili ka ardhur në Kosovë dhe që do të kontribuojë në rrugën tonë evropiane”, ka nënvizuar ajo.

Po ashtu politika e jashtme e Kosovës ka thënë se synon identifikimin gjithnjë e më të fortë të Kosovës me kulturën  e saj, si dhe promovimin e mundësive të bashkëpunimit ekonomik të Republikës së Kosovës me investitorë të huaj.

Ndër të tjera ka përmendur bukuritë natyrore, pikat turistike, jetën shumë të gjallë dhe elemente të tjera që karakterizojnë vendin. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme