Google ADS

Të blesh shtëpi, bëhet më e vështirë: Çmimet u rritën me 30 përqind, por pagat vetëm 5 përqind

00:55 | 12 Shtator 2021
Trina Galanxhi

Të blesh një apartament në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e vështirë për një individ me të ardhura normale.

Këtë e konfirmojnë edhe vetë ekspertët e pasurive të paluajtshme, sipas të cilëve çmimet e apartamenteve janë rritur ndjeshëm në 5-vjeçarin e fundit, veçanërisht për ndërtimet e reja të pas vitit 2015 që tejkalojnë edhe 30% rritje.

“Me të ardhurat që marrin mesatarisht qytetarët shqiptarë sigurisht nuk mund të blejë çdo njeri. Ato që blejnë, blejnë sipas të ardhurave që kanë sepse edhe tregu imobiliar është i shpërndarë sipas çmimeve. Pas vitit 2015 kur filluan ndërtimet e reja pasi kishte 8 vite pa dhënë leje ndërtimi u vu re një rritje çmimi e konsiderueshme. Kjo rritje ka qenë graduale dhe në total deri më sot shkon deri në 30% rritje e çmimit të apartamente” , tha Lefter Sila, ekspert për pasuritë e paluajtshme.

Por, teksa çmimet e apartamenteve rriten vrullshëm, pagat nuk po ndjekin të njëjtin trend pasi sipas Instat që prej vitit 2014 paga mesatare është rritur me vetëm 5%.

Eksperti e ekonomisë Majlind Lazimi shpjegon se kjo tregon një funksionim jo normal të tregut pasi nuk ndjek një logjikë ekonomike. Faktor ndikues shton ai është paraja gri që investohet në segmente të caktuara të ndërtimit.

“Elementët që motivojnë këtë rritje të ndërtimit nuk janë bazuar në zhvillimin ekonomik, në rritjen e pagave e cila do ishte pjesa më normale. Fakti është që një qytetar me një pagë mesatare do të duhet të ketë ndoshta 2-3 dekada për të blerë shtëpi. Po të shikojmë sa prej këtyre investimeve janë financuar nga kredi bankare dhe sa kanë mundur qytetarët të marrin kredi që të jetë e mundshme të shlyhet në kohë, unë e shikoj të limituar. Nga ana tjetër një pjesë e investimeve në sektorin e ndërtimit nuk janë nga burime zyrtare të sistemit bankar, kemi të bëjmë edhe me burime financiare të parasë gri”, tha Majlind Lazimi, ekspert për ekonominë.

Megjithëse kredia e re për banesa është rritur sipas bankës qendore dhe në fund të korrikut arriti në 24 miliardë lekë, nga 21 miliardë lekë që ishte një vit më parë, sërish kjo për ekspertin Lazimi tregon një paqëndrueshmëri të rritjes së vrullshme të çmimeve të apartamente, trend që sipas tij mund të çojë së shpejti në një flluskë që do të dëmtonte ekonominë.

“ Detyrimisht ose do të duhet të kemi një stopim të rritjes së çmimeve ose nga ana tjetër të kishim një lloj kornizimi të hapësirave të reja sepse mund të kthehen në boomerang për ekonominë sepse është një flluskë që në 3-4 vitet e ardhshme mund të shpërthejë“, tha Majlind Lazimi, ekspert për ekonominë.
Çmimet e apartamenteve në kryeqytet arrijnë thuajse në të njëjtat nivele me vendet europiane. Referuar indeksit të pasurive të paluajtshme publikuar nga Numbeo, që mat koston e jetesës dhe raportin e çmimeve ndaj të ardhurave për pasurive të paluajtshme për Tiranën ky tregues përllogaritet në 16.2, njëjtë si Milano./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme