Lojë politike apo nevojë shëndetësore doza e tretë e vaksinës në Kosovë

10:02 | 11 Shtator 2021
L G

Kosova pretendon të aplikoj dozën e tretë të vaksinës anti-COVID-19, kështu ka njoftuar Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë ditës së mërkure.

Por, derisa disa ekspertë shëndetësorë e vlerësojnë lojë politike, disa të tjerë e konsiderojnë si dozë përforcuese e domosdoshme veçanërisht për personat e moshës mbi 50 vjeç.

Kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sejdiu për arbresh.info thotë se vendimi për aplikimin e dozës së tretë, duhet të respektohet.

“Në momentin që institucioni kompetent për këtë punë ka vlerësuar se duhet të jepet doza e tretë atëherë mendoj se është gjithçka në rregull dhe duhet që ta respektojmë, pasi që edhe shtetet e tjera kanë vlerësuar se moshat mbi 50-60, do të duhej si dozë përforcuese. Mendoj që OBSH është kundër dozës së tretë sepse është bazuar më shumë në nevojën e shteteve të tjera që të ndihmohen për dozën e parë dhe të dyta”, thotë ai.

Doza e tretë e vaksinës lojë politike

Ndryshe mendon kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla.

Ai thotë se e gjithë kjo është vetëm një lojë politike, dhe asgjë tjetër.

“Së pari kjo është lojë politike e ministrit Vitia, ai ka thënë që kjo mund të ndodh vitin tjetër, dhe na deri në vitin tjetër mund të ballafaqohemi me variante të ndryshme. Dhe as OBSH-ja nuk ka marr vendim se a do të merret doza e tretë apo jo. Le ta marrin qytetarët dozën e dytë se për të tretën larg jemi si Kosovë”, thotë Syla.

Organizata Botërorë e Shëndetësisë kundër dozës së tretë

Edhe pse disa vende kanë filluar ta aplikojnë dozën e tretë të vaksinës, Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdimisht është duke bërë thirrje për mos aplikimin e dozave të treta të vaksinave kundër koronavirusit deri për të paktën një vit.

OBSH u bënë thirrje vendeve të pasura dhe prodhuesve të vaksinave që të prioritizojnë vaksinimin e punonjësve të shëndetësisë dhe popullatave të rrezikuara në vendet e varfra, në vend të dozave përforcuese./A.Zeka/arbresh.info/

Të ngjashme