Fushata e çnjohjeve nga Serbia, dhe mungesa e ambasadorëve të Kosovës nëpër botë

08:11 | 10 Shtator 2021
arbresh.info

Mos emërimet e ambasadorëve në ambasadat përkatëse nëpër vende të cilat e kanë njohur Kosovën, rrezikojnë t’i forcojnë Serbisë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, shkruan arbresh.info.

E një gjë të tillë e ka hedhur poshtë, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi.

Abazi për arbresh.info, tha se çështja e njohjeve është ndër shtetërore, madje ai tha se Serbia do të tentojë një gjë të tillë me ose pa ambasador në krye të ambasadave.

“Ambasadorët janë në vendet që na kanë njohë, nuk ka ndonjë rol aty në idenë e mos njohjeve që Serbia i bënë.  Çështja e njohjeve është çështje ndër shtetërore nuk është çështje e ambasadorëve edhe sigurisht që Serbia jo tash por gjithmonë ka me tentua me ose pa ambasadorët me parandalua njohjen edhe me ba çnjohje si akt, por kjo s’ka kurrfarë roli për njohjen. Në anën tjetër ambasadat tona janë të pajisur me staf në të gjitha aspektet dhe është metodë e njohur kur nuk është ambasadori ka “ Charge de affairs”, e që ky e ka fuqinë e plotë të ambasadorit se si me kry punën”, tha Abazi.

Të kundërtën e mendon anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga AAK, Time Kadrijaj, ku për arbresh.info tha se ambasadorët janë gardianë pikërisht për këtë çështje.

Kadrijaj, theksoi se për këtë gjë kanë insistuar të marrin përgjigjeje nga Qeveria dhe Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

“Në të gjitha ato vende që bënë fushat Serbia, ambasadorët kanë qenë gardian, të ruajtjes së pavarësisë dhe të lobimit, edhe të shtrirjes së diplomacisë së shtrirjes së influencës si shtet i pavarur duke prezantuar vlerat e Kosovës. Ndërsa tash në të gjitha ato vende nuk kemi persona që munden me ndiku ose munden me e pas një qasje te strukturat udhëheqëse të atij vendi, ku ndoshta Serbia po e bënë lobimin, dhe kjo ka qenë arsyeja që ne si deputetë e kemi parashtrua këtë pyetje para përfundimit të sesionit pranveror, duke ja kujtuar ministres dhe Qeverisë se cilat janë defektet e mos emërimit të ambasadorëve dhe shkarkimit të ambasadorëve. Sepse, në këtë kohë e kanë dëmtua Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke e mbajtur tash e sa muaj ambasadat me ushtrues detyre”, tha Kadrijaj.

Tutje Kadrijaj tha se Kosova nuk ka një ekip që do i kundërvihej fushatës së Serbisë me një anti fushat.

“Tash Kosova nuk ka as ushtrues detyre pasi që u ka përfunduar edhe atyre mandati, dhe ne ende s’kemi emërime të reja. Çdo fushate të Serbisë duhet me ju përgjigje me anti fushat dhe në këtë rast fatkeqësisht nuk ka kush t’i përgjigjet”, deklaroi Kadrijaj.

Ndërkaq  Abazi tha se komisioni tashmë ka kaluar pesë ambasadorë në pakon e parë, dhe se janë në proces për të tjerat në radhë.

“Komisioni e ka kalua pakon e parë të pesë ambasadorëve dhe jemi tu punua për me i krye të gjitha të tjerat me radhë jemi në proces”, deklaroi Abazi.

Ditë më parë sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nemanja Staroviq, për mediat vendore atje bëri të ditur se Serbia e ka gati fushatën e çnjohjeje.

“Pikërisht për shkak të angazhimit ndaj marrëveshjes së Uashingtonit, në këtë moment ne nuk mund të flasim për numrin dhe emrat specifik të vendeve që do të tërhiqnin njohjen, por ne jemi gati”, kishte deklaruar ai.

Tashmë ka skaduar afati nga koha kur Serbia (Beogradi) ishte pajtuar në Uashington një vit më parë ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahej nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. /S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme