Google ADS

Kosova U19 në konkurrencën e femrave shënon fitore në miqësoren kundër  Turqisë U19

21:33 | 7 Shtator 2021
KRG

Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore në miqësoren e dytë kundër Kombëtares turke të së njëjtës grupmoshë.

Dardanet e reja triumfuan me rezultat 3:2, në ndeshjen e zhvilluar në kampin e ekipeve kombëtare të Federatës turke.

Të parat në epërsi kaluan vendaset me golin e shënuar nga Berivan Içen, në minutën e 21-të. Shifrat i barazoi Loreta Lulaj, në minutën e 50-të.

Pesë minuta më vonë turket sërish kaluan në epërsi me golin e dyshimtë të realizuar nga Tulin Kyjucak. Megjithatë, më pas në skenë sërish doli Loreta Lulaj, e cila realizoi dy gola tjerë, në minutat 74 dhe 76 për t’ia siguruar Kosovës fitoren e merituar në këtë takim.

Pas ndeshjes përzgjedhësi Kushtrim Munishi u shpreh tejet i lumtur me paraqitjen e ekipit dhe i përgëzoi vajzat për lojën e treguar.

“Në ndeshjen e sotme treguam se humbja në ndeshjen e parë me rezultat 3:0 nuk ishte pasqyrë reale. E kemi ditur se kemi ekip më të mirë dhe me lojën e sotme e vërtetuam një gjë të tillë. Përkundër presionit të vazhdueshëm të ekipit rival mbi gjyqtarët, ne arritëm t’i gëzohemi fitores. Goli i dytë i Turqisë u shënua me dorë, por gjyqtari e pranoi pasi kishte presion të madh gjatë tërë ndeshjes. Gjithsesi, vajzat tona kanë dëshmuar nivel të lartë dhe kanë luajtur me mençuri. I përgëzoj për këtë paraqitje dinjitoze dhe për fitoren e arritur. Në ndeshjet kualifikuese në tetor pres të kemi paraqitje edhe më të mira, ngase kemi kohë për t’u përgatitur”, ka thënë Munishi.

Do theksuar se në ndeshjen e parë Kosovës i mungoi golashënuesja e trefishtë në takimin e sotëm, Loreta Lulaj, e cila pa dyshim këtë herë e bëri diferencën në fushë. /arbresh.info/

 

Postimi i plotë:

Të ngjashme