Google ADS

Kosova U21 takohet sot me Anglinë U21, e cila përballet me telashe

09:43 | 7 Shtator 2021
Arbresh.info

Ekipi kombëtar U21 i Kosovës do të takohet sot me Anglinë U21 në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2023 për 21-vjeçarët.

Kosova e viziton Anglinë në Milton Keynes, për takimin e xhiros së dytë të Grupit G kualifikues në orën 20:00.

Kosova U21 dhe Anglia U21 janë takuar dy herë deri tani, me anglezët që i kanë fituar të dy ndeshjet pa pësuar gol.

Derisa Kosova nuk përballet me ndonjë problem para këtij takimi dhe e nisi mirë fushatën kualifikuese duke e mundur Andorrën në ndeshjen hapëse, jo gjithçka ka shkuar mirë për Anglinë.

Skuadra e Lee Carsley u detyrua ta anulojë udhëtimin drejt Rumanisë të premten pak orë para nisjes, për shkak të rasteve me Covid-19 në skuadër dhe si pasojë ndeshja u anulua.

Tre luanët e rinj tani përballen me Kosovën në ndeshjen e tyre të parë në këtë fushatë.

Anglisë do t’i mungojnë dy lojtarë të rëndësishëm, Harvey Elliott i Liverpoolit shkaku i një lëndimi dhe Ryan Sessegnon i Tottenhamit, i cili u largua nga grumbullimi po ashtu shkaku i një lëndimi të vogël.

Grupit G i prin Republika e Çekisë me 2 pikë nga dy ndeshje, e ndjekur nga Kosova, Sllovenia dhe Shqipëria me nga tri pikë nga ndeshjet e para.

Anglia është pa pikë pasi nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje, ndërsa Andorra është e fundit pa pikë pas tri ndeshjeve. /GE/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme