Shteti është duke humbur, ndërkaq ndarjet ekzistuese në shoqërinë malazeze janë edhe më të thella dhe më të dhimbshme pas fronizimit të mitropolitit Joanikije në Cetinje, që u përcoll me incidente të shumta, konsiderojnë analistët politikë.
“Para së gjithash, mendoj që nuk kemi fitues të ditës së djeshme”, tha për Radion Evropa e Lirë, Dalliborka Ulareviq, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për edukimin qytetar, duke komentuar ngjarjet që përcollën fronëzimin e Joanikijes në Cetinje.
Të dielën, më 5 shtator, mitropoliti i Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi, Joanikije u fronizua në Manastirin e Cetinjës me angazhimin e forcave të fuqishme policore, për shkak të protestave që janë përcjellur me incidente, në të cilat u lënduan rreth 60 persona. Protestat u organizuan nga organizatat dhe lëvizjet kombëtare malazeze, të udhëhequra nga subjekti më i fuqishëm opozitar, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), si dhe të mbështetur nga presidenti malazez Millo Gjukanoviq.
Përballë tyre, ceremonia në Cetinje u mbështet nga kryeministri Zdravko Krivokapiq dhe një pjesë e ministrave të Qeverisë së Malit të Zi, të afërt me Kishën Ortodokse Serbe. Qeverinë aktuale e kanë votuar partitë kryesisht pro-serbe, të cilat fituan pushtetin në zgjedhjet e gushtit të vitit të kaluar dhe pas tre dekadash zëvendësuan DPS-në e Gjukanoviqit. Mandati i Gjukanoviqit, si kreu i shtetit, zgjat deri në maj të vitit 2023.
Ulareviq vlerëson se “ditët e mundimshme” të mëparshme kanë treguar se politikanët malazezë nuk i japin përparësi interesit publik, dhe kjo është arsyeja pse shoqëria dhe shteti janë duke humbur.
“Humbje politike pësuan të gjithë aktorët politikë, disa mbase më shumë e disa më pak, si dhe vetë Kisha Ortodokse Serbe, sepse ajo vazhdon të veprojë nën shenjën e shëmtuar të mënyrës së fronëzimit të djeshëm të Joanikijes, të cilin, në një periudhë të ardhshme ne do ta mbajmë mend vetëm nga ajo ditë. Kjo është diçka që në mënyrë domethënëse e shemb edhe pozicionin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi”, konsideron Ulareviq.
Gjatë fronizimit, Cetinje ishte nën rrethimin e policisë, ndërkaq personalitetet fetare u sollën në Manastirin e Cetinjes me një helikopter të Ushtrisë së Malit të Zi, me të cilin edhe u kthyen në Podgoricë pas një ceremonie disa orëshe të kishës. Ata u siguruan nga forcat e fuqishme të njësisë speciale antiterroriste.
Humbje për shtetin dhe shoqërinë
Edhe Zoran Vujiçiq nga Aleanca qytetare, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngjarjet në Cetinje tregojnë që shoqëria malazeze është ndarë edhe më shumë.
“Shteti po thotë që ka fituar, se pati sukses që të ndihmojë fronizimin e mitropolitit, ndërkaq kisha, që ka përmbushur qëllimin e saj që fronizimi të bëhet në Cetinje. Gjithçka përveç kësaj është një humbje e madhe, Eshtë humbje për shoqërinë malazeze. Të gjitha dallimet që ekzistonin para këtyre ditëve, janë thelluar edhe më shumë”, thotë ai.
Paralajmërimi i fronëzimit shkaktoi tensione të larta etnike në Mal të Zi, ndërmjet qytetarëve serbë dhe korpusit kombëtar malazez, kryesisht për shkak të vendit të fronizimit. Cetinje është qendër kulturore dhe historike e Malit të Zi dhe simbol i identitetit shpirtëror, shtetëror dhe kombëtar të malazezëve. Njëkohësisht, aty është edhe selia e Mitopolisë të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe vendi në të cilin janë fronizuar shumica e mitropolitëve.
Uljareviq konsideron që për shkak të ngjarjeve në Cetinje, për aktorët politikë edhe më shumë “është ngushtuar korniza për dialog”, i cili është i domosdoshëm për Malin e Zi.
“Ne, për një periudhë të gjatë kohore, kemi qenë dëshmitarë të ndarjeve shqetësuese serioze në Malin e Zi, të cilat, ditëve të kaluara i kanë thelluar edhe më shumë dhe më dhimbshëm. Përgjegjësinë më të madhe për këtë e bartin politikanët tanë, të cilët nuk janë mjaftueshëm të përgjegjshëm, të pjekur dhe të guximshëm që të sjellin vendime që janë jashtë interesave të tyre partiake dhe të veçanta”, tha Ulareviq.
Mali i Zi gjithnjë e më larg nga vlerat evropiane
Vujiçiq konsideron që pamjet që janë dërguar nga Cetinje nuk janë shenjë e mirë nga një shtet, i cili mëton që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.
“Duket se kurrë nuk kemi qenë më larg nga vlerat evropiane dhe kam frikë se me udhëheqës të tillë politikë vështirë se do të jemi në gjendje të ecim përpara. Apeli është që partnerët dhe organizatat ndërkombëtare të përfshihen në mënyrë aktive për zgjidhjen e këtyre problemeve, sepse, thjesht, shoqëria jonë politike nuk është mjaft e pjekur dhe ne nuk kemi kapacitete të mjaftueshme demokratike për të zgjidhur problemet vetë, për fat të keq”, theksoi Vujiçiq.
Ngjarjet në Cetinje gjithashtu kanë për pasojë që Mali i Zi, sot është më larg vlerave qytetare të Bashkimit Evropian sesa nëntë vjet më parë kur filloi negociatat për anëtarësim, shpreh mendimin Ulareviq.
Ajo thekson se Mali i Zi, në periudhën e kaluar, ka pasur mjaft procese retrograde.
“Shpresoj se ky është momenti kur në nivelin e vendimmarrjes politike të fillohet të mendohet shumë më seriozisht për efektet e ndikimit të kishës në shoqëri. Dhe se a është ai narrativi kleriko-nacionalist, i cili po instalohet në mënyrë të rrezikshme, diçka që duhet ende të mirëmbahet? Gjegjësisht, a do të jemi në gjendje të ruajmë atë që ishte më e vlefshme në Malin e Zi, kur krahasohemi me shtetet e rajonit dhe ky është koncepti këmbëngulës qytetar, i cili mbijetoi në kohë shumë të vështira dhe tani është më se i rrezikuar”, përfundoi Ulareviq.
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...
Bernabeu iu përul legjendës: Një lamtumirë madhështore për d...
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit