Google ADS

Krasniqi: Fushata s’mund të shkurtohet pa ndryshim të ligjit, partitë politike duhet të jenë më të kujdesshme me fushatën

11:03 | 5 Shtator 2021
Përparim Bublaku

Rritja e numrit të rasteve ditëve të fundit në Kosovë, ka bërë që partitë politike të kërkojnë shkurtimin e fushatës zgjedhore, për zgjedhjet lokale, shkruan arbresh.info.

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, për arbresh.info, ka thënë se kërkesa për shkurtimin e fushatës zgjedhore është e pamundur kjo pasi që për ta bërë këtë do duhej të ndryshojë edhe ligji.

“Periudha e fushatës zgjedhore nuk mund të shkurtohet për shkak se ka pasur edhe kërkesa në publik që kjo të jetë më e shkurt, në rastet kur ka zgjedhje të rregullta siç janë këto zgjedhjet lokale për kuvende komunale dhe kryetar të komunave, fushata është e përcaktuar me ligj dhe është 30 ditë, e kjo nuk mund të ndryshohet pa ndryshim të ligjit, kështu që do të mbetet për 30 ditë”, tha Krasniqi.

Sipas tij,partitë politike duhet të bëjnë një fushat që nuk rrezikon shëndetin e qytetarëve.

“Mirëpo do duhej që partitë politike të jenë më të kujdesshme në mënyrë sesi e bëjnë fushatën zgjedhore në radhë të parë ti respektojnë masat të cilat janë në fuqi për mbrojtjen nga pandemia, qoftë të tubimeve publike, të mbajtjes së maskës, të distancës, të kenë preparate të tjera të cilat ju ndihmojnë qytetarëve si dezinfektimi i duarve dhe kështu të minimizojmë shpërndarjen e virusit’, tha Krasniqi.

Për këtë Krasniqi ka propozuar disa forma të bërjes së fushatës nga partitë politike.

“Do duhej që fushata të orientohej më shumë në takime me grupe të ngushta, individuale apo edhe përmes përdorimit të rrjeteve sociale, takime online, dhe të mos e përsëritin atë se çka ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara parlamentare në shkurt të këtij viti, ku partitë politike në formë të pa përgjegjshme kanë mbajtur takime me qytetarë me grupe të mëdha, pa distanca pa respektim të masave dhe kjo ka qu mandej edhe në rritje të numrit të rasteve, kështu që duhet të jenë më të përgjegjshëm në këtë drejtim me partitë të cilat thirrin për sundim të ligjit dhe nuk e respektojnë ligjin nuk i respektojnë masat kjo na flet shumë për mënyrën se si këto parti do të qeverisën kur të vijnë në pushtet”, tha Krasniqi.

Lidhur me mundësinë e heqjes së masave kufizuese për shkak të fushatës, ai thotë se kjo do të varet nga numri i rastëve, por do të ishte e papranueshme nëse kemi një situatë të ngjashme.
“N’varet prej numrit të rasteve pra gjendja e pandemisë cila do të jetë, nëse ka rënie të numrit të rasteve atëherë këto masa edhe mund të relaksohen, por nëse vazhdon diçka e ngjashme me këto ditë se çfarë po ndodhë, do të ishte e pa pranueshme që të hiqen kufizimet në kohën kur zhvillohet fushata zgjedhore e kjo të behët vetëm për hir të fushatës zgjedhore’, deklaroi Krasniqi.

Ndërsa krerët e partive opozitare si LDK, AAK, kanë kërkuar shkurtimin e fushatës zgjedhore, në zgjedhjet lokale.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një letër të hapur drejtuar krerëve të partive politike ka kërkuar që fushata zgjedhore të shkurtohet nga 30 ditë në 10 ditë.

‘Me vullnet të plotë politik, përkundër rregullativës ligjore në vend, të shkurtojmë fushatën zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë. Ta bartim përpalljen politike nga terreni ku grumbullojmë zakonisht me qindra e mijëra njerëz përnjëherë, në debate tjera, televizive, përballje digjitale e sociale”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndërkaq kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se fushata duhet të shkurtohet në pesë ditë.

“Qëndrimi i AAK-së, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë me pandeminë, është që fushata të shkurtohet në vetëm 5 ditë e jo në 10. Shëndeti i qytetarëve mbi të gjitha!’, ka shkruar Haradinaj.

Edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur gadishmërinë për të diskutuar lidhur me shkurtimin e fushatës.

Arbresh.info, ka tentuar të kontaktojë me LVV-je, për të parë qëndrimin e tyre në lidhje me këtë çështje por nuk kanë dhënë përgjigjeje./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme