Rinor Hykolli i kërkuar nga Policia e Kosovës dyshohet se është në Shqipëri

16:02 | 2 Shtator 2021
Përparim Bublaku

Biznesmeni njëherit edhe menaxheri i reperes së njohur Tayna, Rinor Hykolli tash e dy javë po kërkohet nga Policia nën dyshimin se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor, shkruan arbresh.info.

Burime të portalit arbresh.info, kanë bërë të ditur se i kërkuari në fjalë është parë në Shqipëri.

Në bazë këtyre informacioneve arbresh.info ka komunikuar me  Prokurorin Themelore në Gjilan, të cilët në një përgjigjeje për arbresh.info kanë thënë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në mënyrë që të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarit Rinor Hykolli.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se për këtë rast Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në mënyrë që të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarit R.H dhe i njëjti të arrestohet, pasi dyshohet ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”, thuhet në përgjigjëjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Edhe pse Kosova dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim për arrestimin e personave të kërkuar, kjo gjë nuk po ndodh tani.

Bashkëpunimi i Kosovës dhe Shqipërisë në raste të tilla realizohet përmes Marrëveshjeve bilaterale për Bashkëpunim Juridik ndërkombëtarë, këtë e ka konfirmuar edhe Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Baza juridike në Kosovë e cila rregullon bashkëpunimin juridike me shtetet tjera duke përfshirë edhe Republikën e Shqipërisë është Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështje Penale, kurse në praktikë bashkëpunimi juridik realizohet përmes Marrëveshjeve bilaterale për Bashkëpunim Juridik ndërkombëtarë”, tha Zekaj.

Zekaj tha se deri në anëtarësimin e Kosovës në Interpol, çështja juridike dhe bashkëpunimi me të gjitha shtetet në këtë drejtim bëhet përmes kësaj marrëveshje.

“Kosova deri në anëtarësimin e saj në Interpol, bashkëpunimin policor me shtetet e tjera duke përfshirë edhe Shqipërinë e realizohet përmes Marrëveshjeve bilaterale policore. Kosova dhe Shqipëria kane të nënshkruara Marrëveshje të bashkëpunimit juridik e gjithashtu edhe Marrëveshje të bashkëpunimit policor.

Kështu qe në bazë të monitorimit qe IKD i bënë sistemit të drejtësisë, vlerësojmë se Kosova dhe Shqipëria kanë bashkëpunimit të mirë në aspektin juridik dhe policor, duke përfshirë edhe zbulimin dhe arrestimin e personave të cilët kërkohen nga shtetet respektive”, deklaroi Zekaj.

Arbresh.info ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, ku kanë thënë se veprimet e saja i ndërmerr sipas autorizimeve dhe procedurave të parapara ligjore, por që nuk kanë dhën detaje më shumë në lidhje me këtë rast.

“Policia e Kosovës (PK) në të gjitha rastet, përfshirë rastin në fjalë, veprimet e saja i ndërmerr sipas autorizimeve dhe procedurave të parapara ligjore. Po ashtu PK, njëherit posedon dhe trajton çdo informacion lidhur me rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjëjen e policisë.

Kujtojmë që Hykolli për media më herët kishte deklaruar se kishte qenë në polici për të deklaruar dhe pas intervistimit ishte liruar

Me 18.08.2021 është lëshuar urdhër arrest, e për këtë Policia e Kosovës pati kërkuar bashkëpunim qytetarëve për të gjetur Hykollin.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar me Urdhëresë të Prokurorisë Themelore Gjilan, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët. Personi i kërkuar është: Rinor Hykolli i lindur me 28.11.1983 me banim në Lagjen “Dardania” pa numër në Prishtinë.I dyshuari është i kërkuar për veprën penale: ” Lëndim i rëndë trupor”. Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës në Gjilan apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor kudo në territorin e vendit tonë”, thuhej në njoftimin e Policisë./ arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme