Google ADS

Covid: Italia bëhet gati për protesta të mëdha kundër rregullave të reja

19:42 | 1 Shtator 2021
Trina Galanxhi

Italia është zotuar për tolerancë zero kundër demonstruesve që bllokojnë shinat e trenave për të protestuar ndaj rregullave të reja të COVID për udhëtimet në distanca të gjata.

Nga dita e sotme, udhëtarët do të lejohen të përdorin transportin publik vetëm nëse e kanë “kartonin jeshil”, që dëshmon vaksinimin kundër koronavirusit, testin negativ të kryer gjatë 48 orëve të fundit dhe shërimin nga sëmundja në gjashtë muajt e fundit, transmeton portal arbresh.info

Rregulli, i shpallur javë më parë, vlen për fluturimet e brendshme, udhëtimet me tren midis rajoneve dhe udhëtimet në det. Disa tragete janë të përjashtuara, veçanërisht ato që shërbejnë për shumë ishuj të vegjël të cilët nuk kanë lidhje të tjera me kontinentin, dhe ato që përdoren nga udhëtarët midis Sicilisë dhe majës jugore të kontinentit në Kalabri.

Autobusët lokalë, tramvaje dhe metro janë të përjashtuar nga rregulli, i cili u njoftua nga qeveria e Kryeministrit Mario Draghi, pasi rastet me koronavirus kanë filluar të rriten vazhdimisht.

Italia është duke u përballur me numër të në rritje të të infektuarve me variantin delta të koronavirusit, shkruan euronews.

“Kalimi jeshil” i Italisë tashmë po përdoret për ata që duan të hanë darka në ambiente të mbyllura, të shkojnë në palestra ose të marrin pjesë në vende të mbushura me njerëz si koncerte.

Në prag të rregullave të reja të transportit, Ministrja e Brendshme Luciana Lamorgese u zotua për tolerancë zero kundër çdo proteste.

Kohëve të fundit, për shkak të “kartonit jeshil” në Romë dhe Milano janë mbajtur protesta, të cilat përfunduan dhunshëm.

Deri më tani, rreth 70% e banorëve të Italisë 12 vjeç e lart janë vaksinuar plotësisht. Por ekspertët kanë shprehur shqetësimin se shumë njerëz në grupmoshën 50-69 vjeç nuk kanë marrë vaksina dhe as nuk janë regjistruar për  ta marrë atë.

Italia ka qenë një ndër vendet më të prekura që nga fillimi i pandemisë, duke regjistruar një numër të lartë viktimash dhe një rënie të madhe ekonomike./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme