Të hënën, më 30 gusht, Kina prezantoi rregullat e reja që kufizojnë periudhën kohore që të rinjtë, nën moshën 18-vjeçare që të luajnë video-lojëra. Kina ka thënë se do të lejojë të rinjtë e kësaj grupmoshe të kalojnë tri orë në javë duke luajtur video-lojëra, një vendim që tha se ishte i nevojshëm për të luftuar varësinë nga këto lojëra.
Rregullat e reja vendosin barrën e zbatimit mbi industrinë e lojërave dhe nuk ka ligje që do të ndëshkonin individët nëse shkelin rregullat, raporton Reuters.
Pse Kina është e shqetësuar për varësinë nga video-lojërat?
Autoritetet në Kinë, shteti që ka tregun më të madh në botë të video-lojërave, për vite me radhë kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me video-lojërat dhe lojërat në internet në mesin e të rinjve. Në Kinë ekzistojnë klinika ku aplikohen terapi dhe ushtrime ushtarake, për ata që vuajnë nga ajo që njihet si “çrregullim nga lojërat”.
Më 2018, si shqetësim u theksua edhe rritja e nivelit të personave që kishin probleme me shkurtpamësi.
Administrata Kombëtare e Shtypit dhe Publikimit (NPPA), rregullatori që miraton video-lojërat e reja, tha më 30 gusht se rregullat e reja ishin përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje se lojërat ndikonin në shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve.
Rreth 62.5 për qind e të miturve kinezë shumë shpesh luajnë lojëra online dhe 13.2 për qind e përdoruesve të lojërave, që janë nën moshë madhore, luajnë lojëra në celularë më shumë se dy orë në ditë gjatë ditëve të javës, raportoi media shtetërore kineze.
Rregullatorët kinezë po ashtu kanë shënjestruar industrinë e tutorisë private, por edhe adhurimi i të famshmëve nga të miturit në Kinë është parë me shqetësim dhe autoritetet kanë thënë se ata duhet të veprojnë për mirëqenien e fëmijëve.
Çfarë është bërë deri më tani?
Më 2017, kompania Tencent Holdings tha se do të kufizojë orën e lojës për lojën “Honor of Kings” për disa përdorues të rinj, si përgjigje ndaj disa ankesave që kishin bërë prindërit dhe mësuesit të cilët kishin argumentuar se fëmijët ishin bërë të varur nga luajta e kësaj loje.
Një vit më vonë, duke u thirrur në nivelin e lartë të personave që thanë se kishin problem të shikonin larg, Pekini tha se po shqyrtonte disa masa për të kufizuar lojërat që luhen nga fëmijët dhe më pas pezulloi miratimet për video-lojërat për nëntë muaj.
Më 2019, Kina miratoi ligje ku të miturve u lejohej të luanin lojëra online për një orë e gjysmë gjatë ditëve të javës dhe deri në tri orë gjatë fundjavave. Sipas këtyre ligjeve, të miturve po ashtu iu ndalua që të luanin lojëra nga ora 22:00 deri në ora 08:00. Po ashtu u kufizua edhe sesa para mund të shpenzonin të miturit në blerjen e lojërave online çdo muaj, ku u lejua që ata të shpenzonin 28 deri në 57 dollarë në muaj për lojëra virtuale, varësisht nga mosha.
Për më tepër, të miturve po ashtu iu kërkua që të përdornin emrin e tyre të vërtetë dhe të shkruanin edhe numrat personalë kur kyçeshin të luanin lojëra online dhe disa kompani, të tilla si Tencent dhe NetEase krijuan edhe sisteme për të identifikuar të miturit.
Në korrik, Tencet po ashtu krijoi një sistem që të identifikojë fytyrat e përdoruesve apo siç u quajt “patrullimi i natës”. Këtë sistem, secili prind mund ta aktivizojë për të parandaluar fëmijët e tyre të përdorin llogari të të rriturve, që të shmangin kufizimet për lojëra të vendosura nga qeveria.
Cilat janë kufizimet e reja dhe si do të zbatohen?
Kufizimet e reja ndalojnë fëmijtë nën 18 vjeç që të luajnë lojëra online nga dita e hënë deri ditën e enjte. Ky vendim hyn në fuqi më 1 shtator. Fëmijët mund të luajnë vetëm një orë, nga ora 20:00 deri në ora 21:00 gjatë të premteve, të shtunave dhe të dielave si dhe gjatë ditëve të festave.
Kompanitë e lojërave online duhet të sigurohen që përdoruesit përdorin emrat e vërtetë dhe të gjitha të dhënat më pas do të dërgohen në një sistem kundër varësisë, që është krijuar nga Administrata Kombëtare e Shtypit dhe Publikimit.
Kjo administratë tha për agjencinë e lajmeve Xinhua se do të rrisë inspektimet ndaj kompanive të lojërave online me qëllim që të respektohen kufizimet e reja.
Ky rregullator po ashtu do të rrisë masat për këto kompani nëse shkelin rregullat dhe po ashtu do të rrisë edhe gjobat që do të shqiptojë pas inspektimeve, duke thënë se vitin e kaluar janë verifikuar mbi 10.000 lojëra që luhen nga të miturit.
Administrata Kombëtare e Shtypit dhe Publikimit po ashtu ka thënë se të miturit mund të përdorin llogaritë e prindërve të tyre me qëllim që të shmangin kufizimet e autoriteteve, duke u bërë thirrje prindërve, por edhe shkollave që të rrisin kontrollet ndaj fëmijëve.
Abdixhiku: Sonte, Malisheva i dha zë ‘Turneut të Ndryshimit’
Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj bën thirrje për r...
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...