Një shtetas britanik i akuzuar për pjesëmarrje në grupin militant terrorist të Shtetit Islamik (IS) dhe komplot për të torturuar dhe vrarë pengje amerikane dhe evropiane në Siri do të deklarohet fajtor për akuza penale, tregojnë të dhënat e gjykatës.
Gjykata e Qarkut e Shteteve të Bashkuara në Aleksandri të Virxhinias, ka caktuar seancë kundër të pandehurit, Alexanda Amon Kotey, më 2 shtator.
Ai është 36 vjeç dhe bënte pjesë në një nga katër anëtarët e IS-it që u quajtën nga robërit e tyre “Beatles” për shkak të theksit të tyre britanik.
Kotey dhe një shtetas tjetër britanik, El Shafee Elsheikh u sollën në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar për t’u përballur me akuzat. Në dokumentet e gjykatës nuk ka të dhëna nëse edhe 32 vjeçari Elsheikh kishte arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Aktakuza i ngarkon dy të pandehurit për vdekjen e katër pengjeve amerikane – gazetarit James Foley, gazetarit Steven Sotloff dhe punonjësve humanitar, Peter Kassig dhe Kayla Mueller.
Ata dyshohen gjithashtu për vdekjen e pengjeve britanike dhe evropiane të mbajtura në Siri.
Akuzat përfshijnë marrjen peng që rezulton në vdekje dhe komplot për të vrarë qytetarë amerikanë jashtë Shteteve të Bashkuara. Për të dyja këto akuza parashihet dënimi maksimal me burgim të përjetshëm.
Dy shtetasit britanikë u kapën në vitin 2018 nga pjesëtarët e një milicie kurde e cila mbështetej nga SHBA-ja në Siri.
Grupi në të cilin ata bënin pjesë njihej për trajtime barbare ndaj robërve të tyre. Ata filmonin dhe i postonin në internet videot kur robërit e tyre i torturonin dhe iu prenin kokat.
Kjo bandë që vepronte në kuadër të IS-it ishte përgjegjëse për vdekjen e pengjeve në Irak dhe Siri në vitin 2014.
Britania e Madhe u mori shtetësinë të dy të pendehurve duke lejuar transferimin e tyre në Shtetet e Bashkuara por vetëm pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë i premtoi Londrës se këta dy persona nuk do të përballeshin me dënimin me vdekje.
Kreu i dyshuar i këtij grupi të IS-it, Mohammed Emwazi, i njohur si “Xhihadi Xhon”, vdiq nga një sulm me dron në vitin 2016.
Një anëtar tjetër po vuan dënimin me burg në Turqi./REL/
Driloni befason Drenushën me deklaratë: 15 vjet diferencë në...
Aksident mes një motoçiklete dhe një veture në Prishtinë, lë...
Hoti: Të fokusohemi në ekonominë e vendit, është humbur shum...
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...