Google ADS

Çitaku: Letra drejtuar Kurtit është lutje e sinqertë – askujt s’i duhet pushteti nëse humbim njerëz

23:52 | 31 Gusht 2021
L G

Nënkryetarja e parë e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se letra që kryetari i kësaj partie Memli Krasniqi drejtuar kryeministrit Albin Kurti të cilit i ka ofruar bashkëpunim për menaxhimin e pandemisë është një lutje shumë e sinqertë.

“Kosova sot është në një gjendje të jashtëzakonshme. Kjo nëpër të cilën po kalojmë tani e disa javë mund të thuhet vetëm me një fjalë të vetme – tragjedi. Çdo ditë na vdesin dhjetëra njerëz dhe kemi mijëra të infektuar. Kjo çështje i tejkalon barrierat pozitë-opozitë dhe animozitetet partiake dhe politike, sepse askujt nuk do t’i duhen zgjedhjet e as votat e pushteti nëse ne vazhdojmë të humbim njerëz, familjarët tanë në këtë trend. Ne duhet të jemi aq të pjekur politikisht saqë në momente të caktuara kritike t’i tejkalojmë mospajtimet evidente dhe të bashkohemi në një front të përbashkët kundër pandemisë. Kjo nuk është betejë mes PDK-së, Vetëvendosjes, LDK-së, AAK-së apo kujtdo tjetër. Kjo është një betejë e jona e përbashkët me një pandemi që ka goditur Kosovën në formën më të vrazhdë”.

Çitaku në Klan Kosova, ka thënë se nuk mund të thuhet që ka pasë menaxhim të keq të situatës me pandeminë, sepse sipas saj nuk ka pasë hiç menaxhim.

“Ky është momenti ku duhet të bëhemi bashkë dhe të ulemi e të diskutojmë masat dhe hapat e mëtejmë. Procesi i vaksinimit në Kosovë ka dështuar totalisht. Është jashtëzakonisht i komplikuar dhe i centralizuar. Duhet ta decentralizojmë procesin e vaksinimit. Qytetarët duhet të jenë në gjendje që të vaksinohen në Qendrat e Mjekësisë Familjare, Ministria e Shëndetësisë duhet të jetë në gjendje që të ofrojë vaksinim në qendrat mobile. Siç e morëm vesh së fundmi, diçka që disa nga ne e kemi ditur, është që nuk ka vaksina. Në vend që të krijohet amulli duhet të mobilizohemi bashkërisht që të kërkojmë ndihmë nga vendet mike për një numër më të madh të vaksinave dhe të njëjtën kohë të përgatisim kapacitetet për të ofruar proces më të shpejtë të vaksinimit. Varianti Delta nuk është fundi i pandemisë. Ne duhet të bëhemi gati për një betejë të gjatë dhe këtu duhet të jemi një ‘grusht’ për ta luftuar këtë të keqe që na kanoset neve dhe krejt njerëzimit”.

Por, a ka bërë PDK-ja ndonjë hap tjetër për ta lehtësuar situatën e rënduar me pandeminë, përtej kësaj oferte që i ka bërë shefit të qeverisë?

“Letra ka qenë vetëm hapi i parë. Ne po ashtu kemi ofruar gatishmërinë që deputetët tanë të jenë në seancë që nesër në mënyrë që të votojnë në mënyrë të jashtëzakonshme masa të jashtëzakonshme të cilat janë të domosdoshme për ne si shoqëri që të përballemi me sfidat që kemi tani. Kemi kërkuar që të bëhet rishikim i buxhetit, sepse buxheti i votuar nuk reflekton në thelb nevojat që ka shoqëria kosovare. Ne nuk do të duhej të zgjedhim mes dy opsioneve – a të vdesim nga COVID-19 apo të vdesim nga varfëria. Qytetarët duhet të jenë në gjendje edhe që të vaksinohen, por njëkohësisht edhe të punojnë. Bizneset kosovare kanë nevojë për ndihmë. Një ndihmë e tillë nuk i është ofruar nga qeveria e Kosovës”.

Të ngjashme