Talibanët morën kontrollin e plotë të Aeroportit Ndërkombëtar të Kabulit të martën, pasi avioni i fundit amerikan u largua nga pista, duke shënuar fundin e luftës më të gjatë amerikane.
Sipas Associated Press (AP), automjetet e talibanëve po qarkullonin në pistën e aeroportit.
Në orët e para të 31 gushtit, luftëtarët talibanë, të armatosur rëndë, hynë në aeroport dhe shkuan nëpër të gjitha pjesët e tij, madje duke hipur edhe në disa nga shtatë helikopterët CH-46 që Departamenti i Shtetit i përdori për evakuime, por më pas i bëri të paaftë për fluturim.
Udhëheqësit talibanë, më vonë, simbolikisht ecën në pistë, duke shpallur fitoren e tyre, ndërsa luftëtarët e njësisë elite rebele Badr ishin pranë tyre.
“Bota duhet të marrë mësimin e saj dhe ky është një moment i fitores”, tha zëdhënësi i talibanëve Zabihulah Mujahid.
“Do të ketë siguri në Kabul dhe njerëzit nuk duhet të shqetësohen”, tha ai.
Luftëtarët talibanë ngritën flamujt e tyre mbi aeroport, ndërsa të tjerët ruanin anën civile të aeroportit.
Brenda terminalit, dhjetëra valixhe dhe bagazhe ishin të shpërndara në dysheme, mbase të lëna aty nga mijëra persona që u evakuuan nga Kabuli.
Aeroporti i Kabulit ka qenë vendi i skenave kaotike që kur talibanët pushtuan pjesën më të madhe të Afganistanit dhe morën kontrollin e Kabulit më 15 gusht.
Mijëra afganë kanë qëndruar brenda dhe përreth aeroportit duke shpresuar që të evakuohen.
Javën e kaluar, një sulm vetëvrasës nga Shteti Islamik në portën e aeroportit vrau të paktën 169 afganë dhe 13 anëtarë amerikanë të ushtrisë.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate ndihmuan evakuimin e mbi 120,000 njerëzve, përfshirë qytetarët e tyre dhe afganët që kanë punuar me forcat e huaja gjatë 20 vjetësh të prezencës së tyre në këtë vend.
Megjithatë SHBA-ja dhe vendet tjera e kanë pranuar se jo të gjithë që kanë dashur të largohen kanë pasur mundësi ta bëjnë një gjë të tillë.
Çfarë do të ndodhë me aeroportin?
Talibanët po diskutojnë për mënaxhimin e aeroportit me Katarin dhe Turqinë, ka thënë ministri i Jashtëm i Francës.
Sipas tij, grupi islamik duhet të ofrojë siguri në objekt shpejt në mënyrë që njerëzit që duan të largohen nga Afganistani ta bëjnë këtë duke shfrytëzuar fluturimet komerciale.
“Rezoluta e Këshillit të Sigurimit sa i takon sigurisë në aeroport duhet të zbatohet”, tha ministri Jean-Yves Le Drian për televizionin francez më 31 gusht.
“Po zhvillohen bisedime me Katarit dhe Turqinë për menaxhimin e aeroportit. Ne kërkojmë që qasja në aeroport të jetë e sigurt”, shtoi Le Drian.
Më 30 gusht, Këshilli i Sigurimit i OKB -së miratoi një rezolutë përmes së cilës talibanëve u kërkohet të respektojnë angazhimin e tyre për t’i lënë njerëzit të largohen lirshëm nga Afganistani.
Rezoluta u miratua me 13 vota pro, ndërsa Kina dhe Rusia abstenuan.
Ajo gjithashtu bëri thirrje që të lejohet dërgimi i ndihmave humanitare, të mbrohen të drejtat e njeriut dhe të luftohet terrorizmi.
Siguria në aeroport
Sulmet terroriste në afërsi të aeroportit nga ana e Shtetit Islamik kanë treguar se aeroporti është një objektiv për terroristët, kështu që siguria është shqetësimi kryesor.
Që nga data 15 gusht, kur talibanët morën pushtetin, forcat amerikane e kishin nën kontroll të plotë aeroportin në mënyrë që të mundësohet evakuimi i personelit dhe civilëve.
Turqia ishte ofruar që të marrë nën kontroll aeroportin pas tërheqjes së trupave të huaja, por talibanët vazhdimisht kanë thënë se nuk do të pranonin asnjë prani ushtarake të huaj në Afganistan, pas 31 gushtit.
“Luftëtarët tanë dhe forcat speciale janë të afta të kontrollojnë aeroportin dhe ne nuk kemi nevojë për ndihmën e askujt për sigurinë dhe kontrollin administrativ të aeroportit të Kabulit”, tha për AFP zëdhënësi i talibanëve, Bilal Karimi.
Megjithatë, Michael Kugelman, një analist i Azisë Jugore në Qendren Wilson në Uashington, tha se vendosja e një pranie të huaj të sigurisë do të ishte i nevojshme në rast se kthehet operimi i linjave ajrore. Sipas tij, ende mund të arrihet një marrëveshje.
Në çfarë gjendje është aeroporti?
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se aeroporti është në gjendje të keqe dhe se pjesa më e madhe e infrastrukturës bazë të aeroportit është e shkatërruar.
Një pilot i tha AFP-së se ndërtesa e terminalit të aeroportit u shkatërrua nga udhëtarët gjatë kaosit.
Ai ka thënë se edhe sallat e pasagjerëve janë të shkatërruara ndërsa terminalet e kontrollit të trafikut ajror, duhet të zëvendësohen në mënyrë që fluturimet komerciale të funksionojnë përsëri.
Megjithatë fushata dy javore e evakuimit masiv ka treguar se pistat e aeroportit edhe nëse janë në gjendje të keqe, të paktën janë funksionale.
“Nëse talibanët synojnë të kenë njohje dhe legjitimitet nga qeveritë në të gjithë botën, atëherë duhet të kenë një aeroport të sigurt dhe të besueshëm”, shtoi analisti Kugelman./REL
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...
E akuzoi se ka pëlqim ndaj tij, Gresa shpërthen në lot nga X...
Grupi “Shkodra Elektronike” me një falënderim të veçantë për...
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...