Google ADS

Merr fund lufta në Afganistan, më e gjata në historinë e Amerikës

01:45 | 31 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Lufta 20 vjeçare e Shteteve të Bashkuara në Afganistan ka marrë fund.

Në konferencën e shtypit ku deklaroi përfundimin e përpjekjeve të evakuimit dhe luftës, gjenerali Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, tha se avionët e fundit u ngritën nga aeroporti i Kabulit në orën 3:29, sipas orës së Uashingtonit, ose një minutë para mesnatës në Kabul.

Një zyrtar i lartë taleban i tha Zërit të Amerikës se “të gjitha forcat e huaja okupuese u tërhoqën nga vendi.”

Njoftimi për fluturimet e fundit amerikane nga Afganistani erdhi ndërsa Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni premtuan se do të vazhdojnë të ndihmojnë në evakuimin e amerikanëve dhe afganëve të rrezikuar nga Kabuli deri në “fund”, duke e cilësuar operacionin si evakuimin ajror më të madh në historinë e ushtrisë amerikane.

“Ishte një operacion masiv ushtarak, diplomatik dhe humanitar, një ndër më të vështirët në historinë e vendit. Një kombinim i jashtëzakonshëm logjistike dhe koordinimi, në disa nga rrethanat më sfiduese të imagjinueshme”, tha në një fjalim disa orë pas deklarimit të fundit të luftës, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ai tha se angazhimi amerikan në Afganistan do të vazhdojë.

“Misioni ushtarak ka mbaruar. Një mision diplomatik ka filluar”, tha zoti Blinken.

Megjithatë, SHBA nuk do të ketë ambasadë në Kabul, por do ta zhvendosë praninë diplomatike në Doha të Katarit.

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni thanë se mbi 120 mijë vetë janë evakuuar gjithsej pas marrjes së kontrollit të vendit nga talebanët, përfshirë 1’200 persona të nxjerrë nga vendi me 26 fluturime ushtarake amerikane dhe dy të koalicionit nga e diela deri të hënën.

Me anë të një deklarate, presidenti amerikan Joe Biden tha se “pas 20 vjetësh, prania jonë ushtarake në Afganistan, ka marrë fund”.
Ai tha se do t’i drejtohet kombit të martën.
Jo të gjithë amerikanët kanë dalë nga Afganistani. Zoti Blinken tha se mbi 6 mijë amerikanë janë nxjerrë nga vendi dhe kanë mbetur më pak se 200. Ai tha se përpjekjet për evakuimin e tyre do të vazhdojnë.
Gjenerali McKenzie tha se “tërheqja është e shoqëruar me shumë trishtim”.

“Nuk i kemi nxjerrë jashtë vendit të gjithë ata që donin të dilnin. Por mendoj se edhe nëse do të kishim qëndruar edhe 10 ditë të tjera, nuk do t’i kishim nxjerrë të gjithë jashtë,” u tha ai gazetarëve.

Presidenti Biden tha se bota do t’i mbajë talebanët përgjegjës për kalimin e sigurt të atyre që duan të largohen nga Afganistani.

“I kam kërkuar Sekretarit të Shtetit që të udhëheqë koordinimin e vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë për të siguruar kalim të sigurt për çdo amerikan, partner afgan dhe shtetas të huaj që duan të largohen nga Afganistani”, thotë presidenti në deklaratën e tij.

Zoti Blinken tha se nëse ka amerikanë që duan të qëndrojnë për momentin dhe më pas ndryshojnë mendje, SHBA do t’i ndihmojë që të dalin.

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni i përshkruan kushtet në terren gjatë orëve të fundit të evakuimit të udhëhequr nga ushtria amerikane si fluide dhe të rrezikshme, të rënduar nga një sulm me raketa gjatë natës në aeroportin e Kabulit, autorësinë e të cilës e mori gjithashtu ISIS-Khorasan.

Tërheqja ka mbyllur një kapitull të historisë ushtarake që ka gjasa të mbahet mend për dështimet kolosale, premtimet e paplotësuara dhe një largim përfundimtar kaotik që i kushtoi jetën më shumë se 180 afganëve dhe 13 pjesëtarëve të ushtrisë amerikane, mosha e disa prej të cilëve ishte vetëm pak më e madhe se sa vetë lufta.

Disa orë përpara së martës, afati i përcaktuar nga Presidenti Joe Biden për përfundimin e misionit të transportit ajror, dhe rrjedhimisht përfundimin e luftës amerikane, avionët e Forcave Ajrore bartën kontigjentin e mbetur të forcave nga aeroporti i Kabulit.

Mijëra forca kishin kaluar dy javë të tmerrshme, duke siguruar një transport ajror të përshpejtuar dhe të rrezikshëm të dhjetëra mijëra afganëve, amerikanëve dhe të tjerëve që donin të iknin nga një vend i sunduar përsëri nga militantët talebanë.

Tërheqja përfundimtare përmbushi premtimin e Presidentit Biden për t’i dhënë fund asaj që ai e quajti një “luftë e përhershme” që filloi në përgjigje të sulmeve të 11 shtatorit 2001, që shkaktuan vdekjen e afro 3’000 vetëve në Nju Jork, Uashington dhe Pensilvani.

Vendimi i tij, i shpallur në prill, i bënte jehonë një lodhjeje kombëtare me konfliktin në Afganistan. Tani ai përballet me kritika të ashpra brenda dhe jashtë vendit, jo aq për përfundimin e luftës, se sa për mënyrën e ekzekutimit të evakuimit përfundimtar që u shoqërua me kaos dhe ngriti dyshime për besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara.

Përpjekjet e luftës amerikane nganjëherë dukej se po vazhdonin pa pasur ndonjë objektiv përfundimtar, me pak shpresë për fitore dhe vëmendje minimale nga Kongresi për mënyrën se si u shpenzuan dhjetëra miliarda dollarë për dy dekada.

Kostoja njerëzore ishte e lartë: dhjetëra mijëra amerikanë u plagosën përveç të vdekurve, për të mos përmendur pasojat psikologjike.

Më shumë se 1’100 forca nga vendet e koalicionit dhe më shumë se 100’000 forca afgane dhe civilë kanë gjetur vdekjen nga kjo luftë, sipas projektit për Koston e Luftës në Universitetin Brown./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme