Google ADS

OBSH: Rritja e infeksioneve në Europë shqetësuese, ndërsa numri i të vaksinuarve po zvogëlohet

17:07 | 30 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Rritja e infeksioneve me koronavirus dhe rënia e vaksinimit në Europë është duke penguar në frenimin e pandemisë, thonë zyrtarët e OBSH-së.

Drejtori i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, tha se rritjet e rasteve me koronavirus dhe numri i lartë i vdekjeve mbeten thellësisht shqetësuese, shkruan BBC, transmeton portal arbresh.info

Në lidhje me rritjen e infeksioneve me variantin Delta, ai ka fajësuar lehtësimin e kufizimeve dhe udhëtimet verore.

Kluge parashikoi se Europa mund të regjistrojë 236 mijë vdekje të tjera deri në muajin dhjetor.

OBSH thotë se Europa ka regjistruar më shumë se 65 milionë raste të konfirmuara dhe 1.3 milion vdekje që nga fillimi i pandemisë.

Infeksionet me koronavirus në të gjithë Europën ranë gjatë muajit prill, por kanë filluar të shënohen raste në rritje që nga fundi i muajit qershor.

Kluge tha për 53 vendet anëtare të OBSH -së në Europë, 33 kishin regjistruar një shkallë incidence më të madhe se 10% në dy javët e fundit.

Deri me 26 gusht, Rusia, Franca, Britania e Madhe, Turqia dhe Spanja regjistruan më së shumti raste në Europë, sipas të dhënave të BE -së.

Kluge tha se vendet në Ballkan, Kaukaz dhe në republikat e Azisë Qendrore kishin parë një rritje veçanërisht të madhe të rasteve, duke rezultuar në një barrë në rritje për spitalet dhe vdekjet.

Javën e kaluar, kishte një rritje prej 11% të numrit të vdekjeve në rajon, tha ai.

Sipas tij, situatë shqetësuese është rënia e vaksinimit në shumë vende në Europë.

Vendet evropiane me të ardhura të larta kanë nivelet më të larta të vaksinimit në botë.

Të dhënat e mbledhura nga BE tregojnë se 29 vende të rajonit i kanë dhënë 75.1% të të rriturve një dozë, dhe 64.9% dy. Europa është vetëm e dyta pas Azisë për sa i përket numrit të përgjithshëm të dozave të administruara, sipas shifrave të mbledhura nga Our World in Data.

Sidoqoftë, javët e fundit marrja e vaksinimit është ngadalësuar.

Vetëm 6% e njerëzve në vendet me të ardhura më të ulëta dhe të mesme në Europë janë plotësisht të vaksinuar, dhe disa vende kanë arritur të vaksinojnë vetëm një në 10 punonjës shëndetësorë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme