Në Kosovë ndodh që prokurorët të ngrenë aktakuza edhe ndaj personave të vdekur. Pra, në aktakuza, prokurorët i propozojnë gjykatës që në seancë të ftohen të vdekurit për t’u gjykuar.
Në këto raste, prokurorët ngrenë aktakuza pa zhvilluar hetime sepse kjo iu mundësohet sipas ligjit, për veprat penale që dënohen deri në tre vjet. Në shumë raste, akuza të tilla bëhen pas kallëzimeve penale të Kompanisë së Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), ndaj personave që keqpërdorin apo vjedhin energjinë elektrike.
Për një rast të tillë në Komunën e Podujevës në vitin 2020, sipas një hulumtimi të Institutit të Kosovës për Drejtësi, ishte ngritur një aktakuzë e drejtpërdrejtë, pa zhvilluar hetime. Sipas aktakuzës, prokurorja e rastit, kishte konsideruar se i akuzuari e ka kryer veprën penale dhe ka kërkuar nga gjykata që ai të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas propozimit në aktakuzë.
Kjo aktakuzë është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, pasi ajo është ngritur ndaj një personi që kishte vdekur para tetë vjetësh. Në arsyetimin e gjykatës thuhet se personi i akuzuar kishte vdekur para tetë vjetësh, por që vdekja e tij nuk ishte regjistruar në regjistrat e vdekjes.
Ky është vetëm një nga 16 raste të prokurorëve, të cilët kanë ngritur aktakuza ndaj personave të vdekur. Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi,(IKD), që monitoron sistemin e drejtësisë në Kosovë, thotë se gjetjet e këtij instituti tregojnë për një praktikë të dëmshme, e cila prodhon pasoja në shkeljen e të drejtave të njeriut, si rezultat i ngritjes së aktakuzave ndaj personave të vdekur.
“Në këto raste, KEDS-i vetëm ka ngritur kallëzim penal ndaj personave që kanë qenë të regjistruar si shfrytëzues të njehsorëve të kësaj kompanie dhe rrjedhimisht ata nuk kanë bërë asnjë verifikim më tutje. Në këto raste prokurorët, pasi kanë pranuar kallëzimet penale nga KEDS-i, sipas ligjit, pra sipas Kodit të Procedurës Penale kanë ngritur aktakuza të drejtpërdrejta pa zhvilluar hetime sepse kjo iu mundësohet dhe në këto raste kjo ka ndodhur dhe po ndodh vazhdimisht”, thotë Rezniqi.
Zyrtarët e kompanisë KEDS thonë se gjatë inspektimeve ata kryejnë detyrat e tyre për të denoncuar të gjithë personat, që në mënyrë të paautorizuar keqpërdorin shërbimet e energjisë që ofron kjo kompani. Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, nuk e di se sa është numri i saktë i kallëzimeve penale të ushtruara ndaj personave të vdekur, por thotë se brenda një viti rreth 5.000 raste të kallëzimeve ushtrohen për keqpërdorim të shërbimeve të energjisë.
“Po flasim për mijëra raste, ndërsa kur ne dërgojmë ndonjë rast, padi për personat e vdekur janë raste minore, janë brenda marzhës së gabimeve, gabime që ndodhin. Por, baza nuk është te ne, faji nuk është te ne, faji është te familjarët të cilët nuk vijnë të rinovojnë kontratën edhe pse e kanë obligim ligjor”, thekson Buzhala.
Hulumtuesja Rezniqi thotë se në këto raste KEDS-i do duhej të ndërmerrte veprime për të verifikuar personat ndaj të cilëve ngreh kallëzime penale. Përveç zyrtarëve të KEDS-it, një verifikim të tillë, sipas saj, do duhej ta bënin prokurorët.
Sabit Sadikaj, gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, thotë se parashtruesi i kallëzimit penal duhet të bëjë një verifikim të tillë. Problemi sipas tij qëndron te hartimi i procesverbaleve, që në shumicën e rasteve janë nga kompania energjetike KEDS.
“Fillimisht punëtorët e KEDS-it shkojnë në vendngjarje, hartojnë një procesverbal, me të cilin konstatojnë, sipas tyre, vjedhjen e shërbimeve, në këtë rast energjinë elektrike. Shënojnë orën elektrike dhe pronarin e njehsorit, i cili ka mund të jetë person i vdekur. Prandaj, KEDS-i nëse do ta kishte evidentuar në procesverbal këtë pikë, sigurisht që aktakuza nuk do ishte ngritur dhe nuk do zhvillohej ndonjë procedurë gjyqësore”, thotë Sadikaj.
Për këto kallëzime penale, prokuroria ngrehë aktakuzë të drejtpërdrejta, pa zhvilluar hetime, pasi Kodi i Procedurës Penale nuk obligon që të zhvillojë hetime, thotë Sadikaj, duke shtuar se këto praktika duhet të ndërpriten, pasi po ndikojnë në grumbullimin e lëndëve, njëherësh po humb besimi i qytetarëve te sistemi i drejtësisë.
Për ish-kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, profesorin e së Drejtës Penale, Fejzullah Hasani, ngritja e këtyre aktakuzave ndaj personave të vdekur është shumë problematike dhe në këto raste prokurorët do të duhej të zhvillonin hetime ose duhet të bazohen në prova të mira për të ngritur aktakuza të drejtpërdrejta.
“Unë e shoh shumë problematike që një prokuror të ngrehë akuzë të tillë ndaj një personi të vdekur sepse së paku ai person do të duhej, që themi ne ajo procedura parapenale, nga ana e policisë të merret një deklarim. Kjo është kur mungon llogaridhënia dhe me një kallëzim penal fiktiv ky ngrehë aktakuzë pa zhvilluar asnjë veprim procedural edhe bie në situata absurde. Po them vetëm kur kemi të bëjmë me veprat penale të dënueshme deri në tre vjet”, thekson Hasani.
Për Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, ngritja e aktakuzave ndaj personave të vdekur dëshmon për administrim jo të mirë nga institucionet shtetërore, që në fund prodhon pasoja për qytetarët dhe drejtësinë.
“…sepse po flasim për shërbimet komunale, po flasim për sektorë që kanë qasje të përditshme me qytetarë, të cilët më pas edhe i akuzojnë. Edhe sikur të ndodhte, ta zëmë, komuna ose organizatat tjera që ofrojnë shërbime publike t’i përditësojë këto të dhëna, këto situata nuk do të ndodhnin. Personi i vdekur nuk mund të akuzohet sepse është parim i drejtësisë”, thekson Qelaj.
Sipas, hulumtimit të IKD-së, praktika ka treguar se në rastet e ngritjes së aktakuzave të drejtpërdrejta evidentohen shkelje ndaj të drejtave të të pandehurve dhe njëkohësisht edhe pasoja të tjera.
Izraeli urdhëron evakuime në disa zona të Gazës, nxit një va...
Nwaneri në histori të Arsenalit, Arteta me fjalë të mëdha pë...
LDK sot në Malishevë me “Turneun e Ndryshimit”
Rama në Londër: Nisëm ligjore për të regjistruar fëmijët e s...
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Driloni, Anisës: Po tutem që të shikoj