Ekipi kundër korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë konfirmoi gjetjet e Zërit të Amerikës në lidhje me abuzimin me përshkrimet e barnave në Qendrën Shëndetësore në Gushtericë të Poshtme, në komunën e Graçanicës, një komunë më shumicë serbe afër Prishtinës.
Ekipi konfirmoi se katër mjekë të kësaj Qendre Shëndetësore (që funksionon në kuadër të institucioneve të qeverisë serbe) u përshkruan 892 pacientëve, mbi 1 mijë e 400 kuti me injeksione Genotropin dhe Norditropin në periudhën nga viti 2019 deri në korrik të vitit 2021, dhe se të gjitha ato receta ishin të falsifikuara. Në këtë mënyrë, kanë thënë në ministrinë serbe të Shëndetësisë së Serbisë, janë kryer disa vepra penale dhe i janë shkaktuar dëme buxhetit të Serbisë prej rreth 46 milionë dinarë (afërisht 460 mijë dollarë amerikanë).
Javët e fundit, Zëri i Amerikës ka gjetur prova të shumta se disa mjekë në Qendrën Shëndetësore në Gushtericë të Poshtme kanë përshkruar receta fiktive për ilaçe vitet e fundit, të cilat më vonë u morën në barnatore të caktuara në Serbi.
Zëri i Amerikës siguroi një listë me emrat e rreth 150 personave, të cilëve iu përshkruan injeksionet Genotropin dhe Norditropin dhe në emër të të cilëve u tërhoqën ato, pa dijen e personave. Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për të diskutuar këtë temë me drejtorin e Qendrës Shëndetësore në Gushtericë të Poshtme, Sasa Mladenoviq, Zëri i Amerikës iu drejtua inspektoratit shëndetësor të ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë.
‘’Ekipi kundër korrupsionit i Ministrisë së Shëndetësisë mori raporte nga prindërit që thoshin se të dhënat personale të fëmijëve të tyre ishin keqpërdorur në Qendrën Shëndetësore të Gushtericës së Poshtme dhe hormonet e rritjes ishin përshkruar në disa raste – ilaçe Genotropin dhe Norditropin – me një diagnozë të E23.0’’, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
Kontrollet e hollësishme dhe analiza e dokumentacionit mjekësor vërtetuan se ilaçet e hormonit të rritjes ishin të përshkruara në qendrën shëndetësore të Gushtericës së Poshtme, në “eRecipes” për 892 pacientë, përkatësisht 1.432 kuti injeksionesh Genotropin dhe Norditropin, në periudhën nga 2019 deri në korrik 2021 nga katër mjekë.
‘’Të gjitha recetat elektronike të përshkruara janë të falsifikuara dhe në këtë mënyrë janë kryer disa vepra penale dhe janë shkaktuar dëme në buxhetin e Republikës së Serbisë në vlerë prej 45.936.830.61 dinarë deri më tani, dhe përfitime të paligjshme pasurore kanë siguruar personat e përfshirë në përshkrimin dhe marrjen e ilaçeve, faturimin dhe pagesat në fatura, dhe pasi të jetë mbledhur dokumentacioni përkatës, ministria e Shëndetësisë do t’i paraqesë kallëzimin penal Prokurorisë, për vendime të mëtejshme”, tha Vesna Dimitrijeviq nga Ekipi Kundër Korrupsionit i ministrisë së Shëndetësisë në Serbi.
Andrijana Gjokiq nga Graçanica është njëra prej atyre që në mënyrë fiktive iu përshkrua ilaçi Gentropin në dy raste, në qershor dhe korrik të këtij viti, dhe ilaçi u ble në një farmaci në Serbi po në ata muaj. Sidoqoftë, këto ditë, ajo zbuloi se gjoja vizitoi mjekun në Gushtericën e Poshtme më 5 gusht të këtij viti.
“E vetmja herë që isha në Qendrën Shëndetësore në Gushtericën e Poshtme ishte kur më duhej të merrja një librezë sportive disa vjet më parë, për t’u marrë me sporte. Pas kësaj, unë nuk isha kurrë më atje, as asgjë nuk më ishte përshkruar. Mora vesh se “isha atje me mjekun më 5 gusht të këtij viti, gjë që nuk është e vërtetë”, tha Andrijana Gjokiq.
Drejtori i Fondit Republikan të Institutit të Sigurimeve Shëndetësore të Serbisë (dega në Graçanicë”, Nenad Miliq, tha shkurtimisht se hetimi është duke vazhduar dhe se ai nuk mund të thotë asgjë më shumë.
Zëri i Amerikës kontaktoi me dy prej katër mjekëve të Qendrës Shëndetësore në Gushtericë të Poshtme të cilët përshkruanin barnat e përmendura. Njëri tha shkurt se ai nuk mund të fliste me mediat pa miratimin e drejtorit. Drejtori i Qendrës Shëndetësore atje, Sasa Mladenoviq, nuk ishte në vendin e tij të punës dhe nuk u foli as pas katër përpjekjeve brenda një jave.
Ilaçet Genotropin dhe Norditropin përdoren në terapi për njerëzit me mungesë të lindur ose të fituar të hormonit të rritjes dhe janë në listën e Fondit Republikan të Sigurimeve Shëndetësore. Ato jepen ekskluzivisht me recetë të mjekut, meqë abuzimet janë regjistruar kryesisht në mesin e atletëve. /VoA/
28 Nëntori brenda familjes së Isa Boletinit, ndër objektet m...
Komuna e Zveçanit seancë solemne për nder të 28 Nëntorit
Nesër përurohet Parku i Ulpianës, merr pjesë Rama
Nisin homazhet pranë kompleksit “Adem Jashari”, Konjufca: 28...
Dua Lipa uron 28 nëntorin: Një komb, një flamur
Aksident në Korçë, një i lënduar