Çfarë ndikoi në shtimin e vdekjeve në Kosovë?

18:22 | 27 Gusht 2021
L G

Për shtatë ditë (nga data 21 deri më 27 gusht), në Kosovë kanë vdekur 97 pacientë me COVID-19, derisa numri i të infektuarve në javën e fundit, ka shkuar mbi 16 mijë.

Aktualisht, në Kosovë janë mbi 25 mijë raste aktive me koronavirus.

Kjo rritje, sipas mjekëve, ka ndodhur si pasojë e lirimit të tepërt të masave dhe mosmbajtjes së maskës dhe distancës fizike. Sipas tyre, në rritjen e numrave ka ndikuar edhe shkalla e ulët e vaksinimit.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me mjekun kosovar Arbër Shehu, i cili është hulumtues shkencor në universitetin amerikan “Johns Hopkins”. Ai është një nga autorët e studimit për efikasitetin e vaksinave nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna.

Shehu thotë se lirimi i masave para kohe, ka rezultuar që infeksioni me SarsCov2 të përhapet më shpejt.

“Numri i ultë i të vaksinuarve në nivel vendi, ka bërë që rritja e infeksioneve me këtë virus, të shoqërohet me hospitalizim, ku pacientët përfundojnë në kujdesin intensive dhe fatkeqësisht vije deri tek vdekja”, thotë Shehu.

Sipas tij, vaksinimi është mbrojtja më e mirë nga varianti Delta, i cili është më i përhapuri në Kosovë.

“Distribuimi sa më adekuat i vaksinave në një interval kohor sa më të shpejtë, do të kishte mundësuar që gjërat të stabilizohen dhe të kthehen drejt normalitetit”, thotë Shehu.

Shehu shton se Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, duhet të bëjë informim sa më të saktë për rëndësinë e vaksinimit dhe të sensibilizojë qytetarët për t’u vaksinuar.

Deri më tani, mbi 260 mijë qytetarë të Kosovës kanë marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.

Numri i popullsisë në Kosovë vlerësohet të jetë mbi 1.7 milion banorë, kurse aktualisht po vaksinohen personat mbi moshën 16-vjeçare.

Qendra amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) thotë se disa të dhëna tregojnë se te personat e pavaksinuar, varianti Delta mund të shkaktojë më shumë sëmundje të rënda, sesa variantet paraprake.

Në dy studime të ndara, në Kanada dhe në Skoci, pacientët e infektuar me variantin Delta, për shkak të gjendjes së tyre, kishin më shumë mundësi të përfundonin të shtrirë në spital, sesa pacientët me variantin Alfa, ose atë fillestar të COVID-19. Ndërkaq, shumica e madhe e personave që janë shtrirë në spital, dhe e personave që kanë vdekur nga COVID-19, ishte e pavaksinuar.

Megjithatë, sipas CDC, personat që janë të vaksinuar plotësisht, dhe janë infektuar me variantin Delta, mund ta përhapin atë te të tjerët, mirëpo për një kohë më të shkurtër.

Mbi 50 pacientë në gjendje të rëndë

Që vaksina është armë më e fortë në luftimin e këtij virusi, pajtohet edhe infektologu Lirim Tafilaj, që është pjesë e Klinikës Infektive në Prishtinë.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se në Klinikën Infektive janë të shtrirë 118 pacientë, shumica prej tyre janë me oksigjeno-terapi.

“Një prej problemeve është edhe mosrespektimi i masave. Mosmbajtja e maskave, tubimet nëpër vende të mbyllura, ahengjet e këto, kanë ndikuar në shpërndarjen e virusit. Po ashtu është edhe varianti Delta, që shpërndahet më lehtë dhe prekë edhe fëmijët dhe gratë shtatzëna”, thotë Tafilaj.

Sipas tij, shumica e pacientëve që janë në gjendje të rëndë janë të pavaksinuar.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Univeristar i Kosovës, në raportin ditor më 27 gusht, ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i pacientëve me koronavirus të shtrirë në spitale, është mbi një mijë. Prej tyre, mbi 950 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi dhe mbi 50 janë në gjendje të rënduar shëndetësore, thuhet në raport.

Qytetarët thonë se ‘ua panë sherrin’ dasmave

Në ballkonet e Klinikës Infektive, janë të shumtë qytetarët që po kujdesen për familjarët e tyre që janë të infektuar me COVID-19. Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa prej tyre, të cilët thonë se infektimet janë rritur si pasojë e organizimit të dasmave dhe tubimeve tjera masive.

Bahrije Ismaili nga Gjilani, ka 10 ditë që është duke u kujdesur për bashkëshortin e saj, i cili është infektuar me koronavirus dhe sëmurë me COVID-19. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë, se ai u infektua në një dasmë.

“Katastrofë. Nuk po ka mbikëqyrje. Nuk po ruhen njerëzit. Ne jemi ruajtur boll, por u infektuam nëpër dasma. Të ndalohen dasmat, gastronomitë, të mbyllën këto derisa të bie numri i të infektuarve”, thotë ajo.

Edhe Imer Qorri nga komuna e Drenasit dhe Hajrie Aliu nga Podujeva, të cilët po kujdesën për të afërmit e tyre, thonë se për Radion Evropa e Lirë se lirimi i masave ka rritur numrin e të infektuarve.

“Nuk e di kush mund ta arsyetojë këtë. Nuk e di a ishte neglizhencë e qytetarëve, a e qeverisë. Diskotekat gjithë natën, dasmat gjithë natën. Pa mbikëqyrje, pa mbrojtje asgjë”, thotë Qorri.

“Numrat po rriten sepse nuk po i rrimë gati, s’po jemi të kujdesshëm. Dasmat kah 200-300 veta, tubimet, kafet. Pse nuk po sëmurën ata që po rrinë në shtëpi? Ata që nuk po shkojnë në dasma”, thotë Hajrie Aliu.

Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit në mars të vitit 2020, në Kosovë kanë vdekur mbi 2,300 qytetarë nga COVID-19.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme