Google ADS

Drejtori i SHSKUK-së: Shqetësues mbizotërimi i variantit Delta, po prek fëmijët dhe gratë shtatzëna

00:11 | 27 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka bërë të ditur se si profesionistë shëndetësorë, janë të shqetësuar me situatën e krijuar në vend, si pasojë e pandemisë, dhe rritjes së rasteve me variantin Delta.

”Duhet të shqetësohemi, jemi të shqetësuar edhe ne si profesionistë shëndetësorë me këtë situatë. Me çrast ne po përballemi me një fluks të madh të pacientëve të cilët po kërkojnë hospitalizim. Dhe ky fluks i madh i pacientëve të hospitalizuar sigurisht që ka ndikuar në rritjen e rasteve të vdekjeve”.

”Të gjithë do ta kuptojmë se Covid-19 është një infeksion i rëndë i rrugëve të frymëmarrjes, i mushkërive që fatkeqësisht në disa raste përfundon me fatalitet”.

”Për të shmangur numrin e madh të rasteve të vdekjeve, por edhe të rasteve të infektuara, ne më shumë se kurrë duhet të respektojmë masat dhe të vaksinohemi në masë sa më të madhe dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur”.

”Nga këndvështrimi im, si mjek, edhe si menaxher i SHSKUK-së, ajo që kemi vërejtur është se masat edhe ato që kanë ekzistuar nuk janë respektuar thuajse asnjëherë. Ju e dini se maska asnjëherë nuk është hequr nga detyrimi për të bartur, përveç në raste të caktuara. Por, nuk janë respektuar po ashtu as rekomandimet për personat që janë kovidpozitiv”.

”Para së gjitha si qytetar duhet ta kuptojmë se jemi në një situatë shumë serioze, ku shëndeti i qytetarëve në mënyrë kolektive është duke rrezikuar seriozisht. Dhe të vëmë gishtin në kokë për veprimet tona që kemi karshi koronavirusit”.

Krasniqi u shpreh në Edicionin Special, se për të shmangur vdekjet dhe infektimet e mëdha, duhet respektuar me doemos masat mbrojtëse meqë varianti Delta, është duke mbizotëruar ashpër në Kosovë, madje pamëshirshëm po prek edhe moshat pediatrike dhe gratë shtatzëna, njofton Klan Kosova.

”Nga 173 mostra që instituti kishte dërguar jashtë Kosovës për variantin Delta, 99% e tyre rezultuan pozitivë me këtë variant. Dhe sigurisht që varianti Delta është duke mbizotëruar në Kosovë, sikurse që po mbizotëron edhe në vendet dhe rajonet e tjera”.

”Tani kemi një aftësi shumë më të madhe të virusit për t’u përhapur në masë. Dhe mosrespektimi i masave, grumbullimi i madh i njerëzve, po ndikon që të kemi numër kaq të madh të rasteve”.

”Nëse duam ta krahasojmë këtë valë, me ato në të kaluarën ne mund të dallojmë tri karakteristika: E para, aftësia për t’u përahapur shumë më shpejtë, e dyta – prekja e moshave të reja, tani kemi një zhvendosje të infeksionit tek grupmoshat e reja. Nga analizat e bëra të infektuara, tani i takojnë moshës deri në 50 vjeç, por duke mos përjashtuar edhe prekjen e moshave pediatrike”.

”Ne në SHSKUK, vetëm në QKUK në një repart që kemi dedikuar enkas për fëmijët e prekur nga Covid-19, kemi të shtrirë 13 fëmijë që janë duke marrë trajtim spitalor. Gjendja e disa prej tyre është e rënduar, sepse sigurisht që ka edhe prej atyre që kanë edhe sëmundje tjera. Karakteristikë tjetër po ashtu ëshë se kemi numër të konsiderueshëm të shtatzënave që po preken nga ky variant. Sot shembull kemi 24 gra shtatzëna që janë duke u hospitalizuar në Klinikën e Gjinekologjisë, dy ditë më parë kishim 26 por po them që ky është numri më i madh që kemi pasur deri tani nga kjo valë e pandemisë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme