Google ADS

Polonia dhe Belgjika i japin fund evakuimeve nga Afganistani

01:38 | 26 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Polonia dhe Belgjika i dhanë fund operacioneve të tyre të evakuimit nga Afganistani, ndërsa vende të tjera evropiane u zotuan të mërkurën të vazhdojnë të qëndrojnë sa më gjatë të jetë e mundur, ndërsa ngushtohen afatet drejt tërheqjes së plotë të trupave amerikane.

Presidenti Joe Biden ka thënë se do t’i përmbahet afatit të shpallur 31 gushtit për tërheqjen e plotë të trupave, gjë për të cilën grupi taleban ka këmbëngulur të respektohet, duke forcuar presionin mbi operacionet e rrezikshme për evakuimin e njerëzve nga Kabuli.

Megjithëse aleatët evropianë patën ushtruan presion për më shumë kohë, në praktikë ata mund të detyrohen t’i përfundojnë operacionet e tyre të evakuimit përpara largimit të trupave të fundit amerikane. Disa vende nuk kanë thënë ende se kur planifikojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Talebanët e rimorën kontrollin e Afganistanit gati 20 vite pasi u dëbuan nga pushteti, nga një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që nisi luftën në këtë vend pas sulmeve të 11 shtatorit, të orkestruara nga Al-Kaida, që strehohej nga talebanët. Rikthimi i tyre në pushtet ka nxitur shumë afganë të largohen nga frika e hakmarrjes ose rikthimit tek format e sundimin brutal sikurse herën e fundit që qeverisën vendin.

Mendohet se me mijëra njerëz ende po përpiqen të largohen dhe nuk është e qartë nëse të gjithë do të jenë në gjendje të largohen para fundit të muajit. Por çdo vendim i Presidentit Biden për të qëndruar më gjatë mund të rifillonte luftimet mes talebanëve dhe trupave perëndimore.

“Për shkak të tensionit ekstrem në terren dhe largimit të planifikuar të forcave amerikane, këto evakuime janë një garë e vërtetë me kohën”, tha të mërkurën zëdhënësi i qeverisë franceze Gabriel Attal.

Ai tha se procesi i evakuimit që po kryen vendi i tij ka të ngjarë të përfundojë “disa orë, ndoshta disa ditë përpara”, largimit të trupave amerikane.

Talebanët kanë njoftuar se do të lejojnë rifillimin e trafikut normal ajror pas 31 gushtit kur të marrin kontrollin e aeroportit, por është e paqartë nëse kompanitë ajrore do të ishin të gatshme të uleshin në një aeroport të kontrolluar nga grupi militant.

Me afrimin e afatit të largimin të trupave amerikane, Marcin Przydacz, zëvendësministër i Jashtëm polak, tha të mërkurën se Polonia kishte evakuuar grupin e saj të fundit pas konsultimesh me zyrtarët amerikanë dhe britanikë.

Por zoti Przydacz tha se një numër trupash do të qëndrojnë për një kohë të shkurtër për të përfunduar operacionet. Polonia ka përdorur mbi 12 avionë për të sjellë me qindra të evakuuar në Varshavë. Disa prej tyre u dërguan më vonë në vende të tjera.

Disa orë më vonë, kryeministri belg Alexander De Croo tha se vendi i tij i përfundoi operacionet e evakuimit të njerëzve nga kryeqyteti afgan drejt Pakistanit. Qeveria mori vendimin “duke pasur parasysh situatën në Afganistan dhe në marrëveshje me partnerët e saj evropianë”, shkruante ai në një postim në Twitter.

Javën e kaluar Republika Çeke e shpalli të përfunduar misionin e saj të evakuimit ndërsa Hungaria tha se planifikonte ta përfundonte atë së shpejti./VoA/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme