Dy anëtarë të Kongresit amerikan bënë të martën një udhëtim të paparalajmëruar në kryeqytetin afgan, Kabul, duke thënë se ishte një vizitë për të vlerësuar përpjekjet e evakuimit dhe për t’i bërë presion Presidentit amerikan Joe Biden të shtyjë afatin e 31 gushtit për tërheqjen e trupave amerikane të mbetura në Afganistan.
“Ne e zhvilluam këtë vizitë në fshehtësi dhe folëm për të vetëm pas largimit, për të minimizuar rrezikun dhe pengesat për njerëzit në terren dhe sepse ne ishim atje për të mbledhur informacion, jo për spektakël,” thuhej në një deklaratë të përbashkët të demokratit Seth Moulton dhe republikanit Peter Meijer.
Ligjvënësit, të cilët shërbejnë në Komisionin e të Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, e lëshuan deklaratën pasi u larguan me avion nga Kabuli. Ata thanë se sipas mendimit të tyre, pasi e panë gjendjen nga afër dhe folën me komandantët në terren, Shtetet e Bashkuara “nuk do t’i nxjerrin dot të gjithë në kohë.”
Zoti Biden tha të martën se pret që misioni i evakuimit të përfundojë deri në fund të muajit.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën herët se gjatë 24 orëve të fundit, afërsisht 19,000 persona ishin evakuuar nga Kabuli. Numri i përgjithshëm i evakuimeve që nga 14 gusht është 82,300.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi lëshoi një deklaratë të martën duke thënë se udhëtimi në Afganistan nga anëtarë të Kongresit do të devijonte burimet nga operacioni i evakuimit.
“Duke pasur parasysh urgjencën e situatës, dëshira e disa anëtarëve për të udhëtuar në Afganistan dhe zonat përreth është e kuptueshme dhe pasqyron rëndësinë që ka për ne jeta e atyre që janë ende atje,” tha zonja Pelosi. “Sidoqoftë, unë përsëris se Departamentet e Mbrojtjes dhe Shtetit kanë kërkuar që ligjvenësit të mos udhëtojnë në Afganistan dhe rajon gjatë kësaj kohe rreziku. Garantimi i evakuimit të sigurt dhe në kohë për individët në rrezik kërkon fokus dhe vëmendje të plotë të ekipeve ushtarake dhe diplomatike amerikane në terren në Afganistan. ”
Agjencia Associated Press citoi një zyrtar të lartë amerikan të thoshte se administrata e zotit Biden e shihte vizitën e anëtarëve të Kongresit Moulton dhe Meijer si të padobishme dhe zyrtarë të tjerë thanë se ajo u konsiderua një përgjegjësi e tepërt për trupat që kanë për detyrë të sigurojnë aeroportin për të lehtësuar fluturimet e evakuimit.
Dhjetëra mijëra njerëz kanë kërkuar të largohen nga Afganistani që kur talebanët morën kontrollin në fillim të këtij muaji.
Arsenali kërkon një transferim befasues në janar për yllin e...
Edi tregon se si humbi 50 mijë euro për ditëlindje
Ismaili pranon letër urimi nga guvernatori i Bankës së Angli...
Ambasadori italian takoi Tërnavën, diskutuan për tolerancë e...
Kurti: Investimi në fëmijë është investimi për një ardhme të...
Dhënia e gratit prej 100 mijë euro vëllait të deputetes së V...