Google ADS

23 vjet nga rënia heroike e Ismet Jasharit – komandant Kumanova

07:39 | 25 Gusht 2021
S D

Sot bëhen 23 vjet që nga rënia e Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – komandant Kumanova.

Jashari u lind në Orizare të Kumanovës më 16 prill 1967, ku mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa në vitin 1982 u regjistrua në Gjimnazin e Kumanovës.

Ai ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”,  fond ky që u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas epopesë së Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë. Më 11 mars të po atij viti, ai, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arrin në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e UÇK-së.

Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari caktohet me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të ushtrisë çlirimtare.

Në mëngjesin e 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë.

Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, bie trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – komandant Kumanova.

Në altarin e atdheut kishin rënë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj.

Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme