Kosova është në qendër të Evropës Juglindore me infrastrukturë të mirë dhe qasje në tregun rajonal dhe atë evropian mbi bazën e marrëveshjeve rajonale dhe Marrëveshjes së Asociimit dhe Stabilizimit me Bashkimin Evropian.
Nga Lidhja e Prizrenit ku jemi sot, sikurse edhe nga Parku i Inovacionit dhe Teknologjisë, porti i Durrësit është më pak se 3 orë larg. Nga Aeroporti i Kukësit jemi vetëm gjysmë ore dhe ai i Prishtinës një orë larg. Këta janë parametra që i duhen secilit investitor për të hapur biznesin e tyre këtu në Kosovë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës në fjalën e rastit, në hapje të edicionit të dytë të Forumit “Invest in Prizren”.
Kryeministri Kurti numëroi edhe indikatorë të tjerë që e bëjnë Kosovën një vend ideal për investime: Bruto Prodhimi Vendor është projektuar të ketë rritje 7.9% sivjet, pagat mujore të fuqisë punëtore mund të konkurrojnë me ato në rajon dhe janë joshëse për investitorë që kërkojnë te bartin pjesën operacionale dhe atë të prodhimtarisë në një vend evropian. Shkalla e inflacionit është e ulët që paraqet rrezik të ulët për investitorët.
Korniza ligjore ofron lehtësi dhe kompensime për investimet që blejnë makineri, apo që pësojnë humbje si edhe eliminon procedurat e gjata burokratike dhe shpejton hapjen e bizneseve.
Të gjithë këta, sipas kryeministrit, janë parametra të një vendi që është i gatshëm për investime dhe siç tha ai, tash kemi edhe një qeveri që është e gatshme t’ju ndihmoj bizneseve dhe investitorëve.
“Koha kur investitorëve u kërkohej ryshfeti për të filluar e haraç në fitim ka kaluar. Qeveria jonë është partnere dhe aleate me të gjitha bizneset që punojnë ndershëm dhe respektojnë e zbatojnë ligjet”, tha kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari kryetar i komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka,
I nderuari kryetar i Edrenesë, z. Recep Gürkan
E nderuara drejtore e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, znj. Sevil Kazaz,
I nderuari zëvendësministër Agon Dobruna,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Haxhi Avdyli, Erxhan Galushi, Artan Abrashi, Arbër Rexhaj, Fidan Jilta, Enis Kervan,
I nderuari Ambasador i Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi,
Të nderuar asamblistë, e përfaqësues të shoqatave e bizneseve vendore e ndërkombëtare,
Të nderuar të pranishëm,
Ju faleminderit që jeni të pranishëm sot në edicionin e dytë të Forumit “Invest in Prizren”. Siç e dini, forumi i parë është mbajtur në korrik të vitit 2019 kurse vitin e kaluar nuk na lejoi pandemia.
Më është thënë se sot kemi të pranishëm mbi 40 biznese nga fusha të ndryshme sikurse ndërtimtaria, turizmi, gastronomia, produktet ushqimore, mobilieria e tekstili si dhe oda të ndryshme ekonomike.
Para se të themi disa fjalë më lejoni që t’ju falënderoj për prezencën e të gjithë këtyre sot.
Kur pyesim investitorët, dhe bizneset vendore se cilat janë kriteret kyçe që një vend duhet të plotësojë për të tërheqë investimet ata janë shumë të qartë.
E para është stabiliteti institucional, e dyta rendi dhe ligji, e treta infrastruktura dhe e katërta fuqia punëtore.
Kosova ka lënguar një kohë të gjatë në shumicën prej këtyre si pasojë e zhvillimeve të ndryshme brenda vendit, çfarë ka bërë që të kemi pak investitorë të huaj.
Mirëpo kjo tashmë ka ndryshuar.
Vendi ka hyrë në një periudhë të stabilitetit politik me institucione legjitime e me besueshmëri të lartë të dalë nga vota qytetare në procese demokratike dhe transparente. Tash jemi në prag të zgjedhjeve lokale dhe pasi të përfundojnë ato do të kemi përpara plot katër vite të fokusimit në ekonomi dhe drejtësi që janë edhe dy shtyllat kryesore të qeverisjes sonë.
Në fushën e drejtësisë kemi filluar reforma të cilat do ta bëjnë gjyqësorin efektiv dhe do ta kthejnë besimin në drejtësi. Sidomos themelimi i gjykatës komerciale e cila do t’ju jep bizneseve një adresë ku mund t’i trajtojnë çështjet për t’u zgjidhur nga gjyqtarë të profilizuar në çështje komerciale. Po ashtu gjykata do ta ketë një divizion të veçantë për investitorët e huaj.
Kosova është në qendër të Evropës Juglindore me infrastrukturë të mirë-rregulluar rrugore dhe qasje në tregun rajonal dhe atë evropian mbi bazën e marrëveshjeve rajonale dhe të Marrëveshjes së Stabilizimit – Asociimit me Bashkimin Evropian. Nga Lidhja e Prizrenit ku jemi sot, sikurse edhe nga Parku Inovacionit dhe Teknologjisë, porti i Durrësit është më pak se 3 orë larg. Nga Aeroporti i Kukësit jemi vetëm gjysmë ore larg, ndërkaq nga ai i Prishtinës maksimalisht një orë.
Këta janë parametrat që i duhen secilit investitor për të hapur biznesin e tyre këtu në Kosovë.
Por, ka edhe indikatorë të tjerë që e bëjnë Kosovën një vend ideal për investime:
– Bruto Produkti Vendor i yni është projektuar që të ketë rritje prej 7.9% sivjet.
– Pagat mujore të fuqisë punëtore mund të konkurrojnë me ato në rajon dhe janë joshëse për investitorë që kërkojnë të bartin pjesën operacionale dhe atë të prodhimtarisë në një vend evropian.
– Shkalla e inflacionit është e ulët që paraqet rrezik të ulët për investitorët.
– Korniza jonë ligjore ofron lehtësi dhe kompensime për investimet që blejnë makineri, apo që pësojnë humbje. Ofron huazim të tokave nga 10 deri në 99 vjet dhe shmang tatimin e dyfishtë. Eliminon procedurat e gjata burokratike dhe shpejton hapjen e bizneseve ku në secilën Komunë të Kosovës sot nevojitet vetëm 3 ditë për të hapur një biznes.
– Kemi 330 km hekurudhë që na lidhin me të gjitha shtetet fqinje.
– Kemi internet të shpejtë me 96% qasje që ka bërë fushën e informacionit dhe teknologjisë informative ndër fushat me potencial më të madh investues. Sot, 61% e kompanive të IT-së në Kosovë punojnë në tregun ndërkombëtar.
– Kemi zona të veçanta ekonomike me infrastrukturë, lehtësira administrative dhe mundësi të mëdha rritjeje. Këto zona janë në Drenas, Mitrovicë, Shtime, Therandë, Lipjan, Gjakovë dhe këtu, në Prizren në Parkun e Trajnimeve dhe Inovacionit.
Të gjithë këta janë parametra të një vendi i cili është i gatshëm për investime. E, për më shumë, tash kemi edhe një qeveri që është e gatshme t’ju ndihmojë bizneseve dhe investitorëve. Koha kur investitorëve u kërkohej ryshfeti për të filluar e haraçi në fitim ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Qeveria jonë është partnere dhe aleate me të gjitha bizneset që punojnë ndershëm dhe respektojnë e zbatojnë ligjet.
Të dashur të pranishëm, historia e popullit tonë është ajo prej sakrificave dhe tragjedive të mëdha por edhe e rilindjes e ringjalljes. Pjesë e kësaj tragjedie është edhe eksodi i qytetarëve tanë i shkaktuar herë nga mungesa e perspektivës ekonomike dhe varfëria e herë nga shtypja e persekutimi gjatë okupimit e luftës.
Por, nga drama e madhe e shpërnguljes së qytetarëve ndër vite sot është hapur mundësia e zhvillimit, investimit dhe e kthimit të tyre në atdhe. Diaspora jonë sot është zemra e ekonomisë që financon jo vetëm konsumin tonë por sjellë edhe investimet që mungojnë.
Është koha që këto investime të orientohen në fusha ku investimi kthehet në fitim e punësim dhe ku zhvillohet shteti dhe shoqëria.
Bizneset tona janë të shumta por janë shumë të vogla. Ato nuk po rriten sepse nuk po arrijnë t’i marrin rreziqet e zgjerimit dhe depërtimit në tregje të cilat nuk i njohin dhe nuk kanë partnerë. Prandaj diaspora dhe investitorët e huaj përsëri janë kritike në këtë drejtim.
Diaspora mund të ndihmojë bizneset tona duke i lidhur me kompani të mëdha përmes Joint-Ventures ku mundësohet depërtimi në tregje të reja e te më shumë konsumatorë e asisoj ngjajnë rritja, zhvillimi e punësimi.
Prandaj, shfrytëzoni këto ditë për t’u njoftuar dhe lidhur me njëri tjetrin dhe për t’u njohur me mundësitë dhe potencialet për investime e bashkëpunime.
Ne jemi këtu për t’ju përkrahur në secilin hap. Mirë se keni ardhur në Prizren! Mirë se e gjeni njëri tjetrin! Dhe kush vjen këtu në Prizren ose nuk shkon, ose kthehet shumë shpesh. Faleminderit.
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...
Kërcënime me bomba në dhjetëra shkolla në Gjermani
Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua