Google ADS

Lushtaku: Albin Kurti e ka kap shtetin, po tenton të ma ndalojë kandidaturën

10:53 | 24 Gusht 2021
L G

Gjykata Supreme e Kosovës ia ka vërtetuar dënimin për arratisjen nga “Burgu i Dubravës” Sami Lushtakut, kandidat i PDK-së, për kryetar të Skenderajt në zgjedhjet lokale.

Në një intervistë për Magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK, Lushtaku është deklaruar i pafajshëm dhe vendimin e Supremes e ka quajtur politik.
Supremja e ka vërtetuar dënimin me gjobë lidhur me arratisjen tuaj nga Burgu i Dubravës gjatë vitit 2015. Çka do të thotë ky vendim për ju në këtë kohë, është pyetur ai.

“Unë jam i pafajshëm dhe dënimet e mia kanë qenë me gjobë. Kjo është puro politike dhe se Albin Kurti e ka kapë shtetin, KQZ-së dhe gjykata. Unë do të garoj dhe do ta kërkoj votën për PDK-në. Dënim im ka qenë për krime lufte dhe unë jam shpallë i pafajshëm, vendimi i Supremës nuk ka asnjë arsye. Dënohem për diçka që nuk ka ndodhë”, ka thënë ai.

I pyetur se a do t’i hyjë garës nëse KQZ-ja nuk e certifikon, Lushtaku është përgjigjur:

“Unë pres që KQZ-ja të më certifikoj dhe të mos lejoj ky institucion të bie pre e politikes së Albin Kurtit. Ai po ndërhyn në drejtësi dhe qëllimi kryesor i tij është që Drenicën ta ndryshoj politikisht. Fitorja ime është e sigurt atje”.

Ndërkaq i pyetur nëse do ta respektojë vendimin e KQZ-së, apo do të ankoheni në instancat e tjera, Lushtaku thotë: “PDK do të ketë kandidatin në çdo rrethanë nëse kjo do të mohohet mua, por në konsultim me avokatin tim unë kam të drejtë të garoj në zgjedhjet lokale për kryetar komune. Pres që drejtësia mos ti bindet

Albin Kurtit. Unë do ti ndjek të gjitha rrugët ligjore dhe pres që drejtësia ta thotë fjalën e fundit”.

Ndryshe, Lushtaku ishte gjetur fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës, gjatë kohës kur po mbante dënimin prej 12 viteve për krime lufte në rastin “Drenica”.

Ish kryetari i Skenderajt, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë në prillin e vitit 2020 ishte dënuar me 12 mijë euro gjobë.Ky dënim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Më 21 gusht 2015, Sami Lushtaku kishte qëndruar për rreth 9 orë i pashoqëruar nga oficerët korrektues dhe ishte arratisur nga Burgu i Dubravës për në shtëpinë e tij në lagjen Dragodan në Prishtinë. Të njëjtin veprim është vërtetuar se e kishte bërë edhe më 22 shtator të vitit 2015 kur për rreth 3 orë e gjysmë kishte qëndruar i pashoqëruar nga stafi korrektues.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme